Nga UÇK-ja te suksesi global: Selami Neziri shpallet specialist i vitit në TI
Selami Neziri, ish- komandant brigade i UÇK-së, është shpallur specialisti më i mirë në fushën e Inxhinierisë së TI-së, nga një kompani zvicerane në nivel global, duke përfaqësuar rajonin e Evropës Qendrore. Kompania «WSP Ingenieure und Berater AG» (inxhinieri dhe konsulencë), me seli në Zvicër, në kuadër të shpalljes së punonjësve më të mirë të vitit në sektorin e IT-së, ka zgjedhur inxhinierin – specialist i Teknologjisë Informative, Selami Nezirin, si një nga më të mirët në nivel global, duke përfaqësuar rajonin e Evropës Qendrore. Duhet theksuar me këtë rast se, Selami Neziri, është me prejardhje nga Sllatina e Poshtme, Komuna e Vitisë, dhe rrjedh nga një familje atdhetare që ka përjetuar sfida të shumta gjatë periudhës së vështirë historike, sidomos nga viti 1981 – 1999, përfshirë represionin jugosllav dhe luftën e fundit në Kosovë (ku nga gjashtë vëllezër e dy motra sa janë, katër prej tyre janë të provuar me burgjet politike jugosllave). Për aktivitetin e tij ilegal politik (si anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës /LKÇK), më 1993 Selamiu ishte arrestuar dhe dënuar me dy vite burg. Pas lirimit për mbrojtje në liri, ishte arratisur në Zvicër, ku krahas angazhimit politik-kombëtar, nën organizimin e LKÇK-së, ai njëkohësisht i përvishet edhe shkollimit universitar.
Me fillimin e luftës së armatosur në Kosovë, ai i detyrohet obligimit kombëtar për t’iu bashkuar shokëve në Kosovë për zgjerimin e radhëve të njësiteve të para të armatosura të UÇK-së. Me këtë rast, pasi i ndërprenë studimet, më 06 mars 1998, Selamiu e lë Zvicrën, dhe bashkë me shokët e tij niset drejt Kosovës. Në Kosovë, shtëpia e tij shërbeu si bazë kryesore e UÇK-së për komunën e Vitisë, ku u themeluan njësitet e para. Ai ishte njëri nga themeluesit e Shtabit të Nën zonës Operative të Karadakut, të UÇK-së, dhe më vonë komandant i Brigadës 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”.
Pas çlirimit të Kosovës, Selami Neziri ishte përgjegjës për ngritjen e institucioneve të përkohshme komunale në Viti ku shërbeu si nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme Komunale, duke bartë poashtu edhe pozita tjera të rëndësishme dhe me përgjegjësi në kuadër të Komunës dhe të Kuvendit Komunal në Viti. Në verën e vitit 2003, për një varg arsyesh, u kthye përsëri në Zvicër dhe vazhdoi studimet aty ku i kishte lënë kur Atdheu ishte në rrezik e Vendlindja thërriste t ‘bijtë e sajë. Selamiu ka ndjekur studimet e larta në Shkencat e Teknologjisë Informative dhe ka punuar si IT Specialist në kompani të njohura në Zvicër, si: «UBS AG», «Credit Suisse», «Hewlett-Packard», «Philips», «Bristol Myers Squibb», dhe aktualisht në «WSP-Ingenieure und Berater AG», e cila edhe e ka zgjedhur njërin nga punëtorët më të mirë të vitit 2025. Përveç angazhimit profesional, Selami Neziri është i përkushtuar ndaj shkollës shqipe në diasporë dhe mbështetës i vazhdueshëm i politikës në dobi të çështjeve kombëtare.




