Në Bellobrad të Opojës u përurua libri “Plagë që kullon” i Ibrahim Skenderit
Në ambientet e Shkollës Fillore “Sezai Surroi” në Bellobrad të Opojës u mbajt ceremonia e promovimit të librit me poezi të zgjedhura të shkrimtarit të ndjerë Ibrahim Skenderi, me titull “Plagë që kullon”.
Për librin dhe vlerat e tij letrare folën recenzenti Gëzim Ajgeraj, si dhe përpiluesi i librit, Bedri Halimi, të cilët ndanë me të pranishmit vlerësime për krijimtarinë poetike dhe kontributin e Ibrahim Skenderit në letërsinë shqipe.
Nxënësit e kësaj shkolle interpretuan me ndjeshmëri vargje nga poezitë e autorit, duke i dhënë aktivitetit një dimension edukativ dhe emocional. Po ashtu, u organizua edhe një orë letrare kushtuar personalitetit dhe veprës së Ibrahim Skenderit, i cili ndërroi jetë kohë më parë.
Në këtë orë letrare u paraqitën me krijimet e tyre poetike: Adil Beqaj, Nexhat Ajdini, Ari Ukimeri, Ilam Berisha, Rexhep Morina, Sherife Thaçi, Mirvete Kabashi Leku, Abaz Çengaj, Fatime Kalimashi, Ismet Lecaj, Gëzim Ajgeraj dhe Bedri Halimi. Mbresa të veçanta la paraqitja e shkrimtares dhe këngëtares së talentuar Fatime Kalimashi, e cila u prit me emocione nga publiku.
Në fund të programit, nxënësit e shkollës u prezantuan me disa pika artistike, duke dëshmuar përkushtim dhe talent, çka e bëri aktivitetin edhe më të veçantë.
Organizimi i kësaj ngjarjeje kulturore është për t’u lavdëruar, falë angazhimit të stafit të shkollës, me në krye drejtorin Ajas Myrtezani, si dhe udhëheqësin e programit Beqir Beqaj. Në mbarëvajtjen e aktivitetit kontribuoi gjithashtu edhe prof. dr. Hazer Dana.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe anëtarë të familjes së shkrimtarit Ibrahim Skenderi, të cilët, të emocionuar, shprehën falënderimet e tyre për organizatorët dhe për të gjithë pjesëmarrësit që nderuan jetën dhe veprën e të dashurit të tyre.



