Ndërpritet seanca për shpërthimin në Ibër-Lepenc, mbrojtja kërkon përjashtimin e prokurorit

24 dhjetor 2025 | 11:37

Për shkak të kërkesës së mbrojtjes të të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit special, Bekim Kodraliu, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca fillestare për rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, raporton Betimi për Drejtësi.

Avokati i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, Nebojsha Vllaiq tha se nuk ka vërejtje për trupin gjykues, por kërkoi që prokurori Kodraliu të përjashtohet nga lënda.

Çfarë thanë avokatët mbrojtës?

Sipas tij, klienti i tij u arrestua më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm gjashtë ditë pas kësaj, ka parashtruar kërkesë për mbledhjen e provave. Sipas Vllaiqit, kjo kërkesë iu dorëzua prokurorisë së shtetit dhe gjykatës dhe provat iu dorëzuan të dyja palëve.

Vllaiq tha se atëbotë prokuror në këtë rast ishte Halim Borovci, ndërkaq tani është Bekim Kodraliu, duke pretenduar se nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga provat që ai i ka propozuar.

“Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte që të bisedohet më së paku me katër persona, që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Të vërtetohet nga cilat antena telefonike në kohën kritike Jovani ka pranuar sinjale. Kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe janë shfaqur në mënyrë shumë selektive. Nuk është treguar koha- që është shumë e rëndësishme”, tha Vllaiq, sipas Betimit për Drejtësi.

Mbrojtësi pretendoi se Kodraliu ka shkelur dispozitën e nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë se është i obliguar që me kujdes t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo dëm të të pandehurit.

Vllaiq pretendoi se provat janë humbur përgjithmonë sepse askush nuk është i obliguar që t’i ruajë incizimet për një vit, nëse nuk ka një urdhër për një gjë të tillë. Nisur nga kjo, sipas tij, është shkelur neni i Kodit të Procedurës Penale sa i përket një procesi të drejtë dhe mbrojtje të drejtë.

Të gjitha këto shkelje të pretenduara, sipas Vllaiqit, nxisin dyshime për“paanshmëri të Kodraliut, duke e akuzuar atë për veprime të njëanshme.

Kërkesën për përjashtimin e Kodraliut, Vllaiq tha se e ka dërguar edhe te kryeprokurori i shtetit.

Ndërkaq, avokati i Dragisha Viqentijeviq, Millosh Delleviq, iu bashkëngjit kësaj kërkese.

Ai tha se ka parashtruar kërkesë te prokurori që të dëgjohen katër dëshmitarë, të mblidhen video-incizimet e kamerave nga dy objekte në Zubin Potok, të cilat pamje janë një orë para dhe një pas shpërthimit.

Por, sipas Delleviq, deri sot prokurori nuk ka vepruar sipas kërkesës së tij, duke konsideruar kështu se është dëmtuar e drejta e tij për mbrojtje.

Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Igor Dimoviq, Jelena Krivokaqiq kërkoi që seanca të ndërpritet.

Kodraliu: Sulmi cenoi direkt sigurinë kombëtare

Prokurori special, Bekim Kodraliu, u shpreh se ndoshta mbrojtjes nuk i pëlqen hetimi që ka zhvilluar, por theksoi se sulmi ka qenë i përgatitur në mënyrë profesionale dhe i koordinuar në mënyrë të përsosur.

Sipas tij, provat që i ka propozuar mbrojtja i ka analizuar dhe janë dëgjuar edhe sot. Kodraliu u shpreh se komunikimet telefonike të të akuzuarit Jovan kanë qenë përmes sistemit telefonik të Serbisë dhe se u janë drejtuar autoriteteve serbe dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar.

Por, Kodraliu theksoi se përkundër kësaj, nuk kanë pranuar përgjigje nga ata.

“Ka qenë sulm që ka cenuar direkt sigurinë kombëtare dhe në atë fazë s’kemi mund të vlerësojmë se kush është dëshmitar, kush është i dyshuar në këtë rast penal. Hetimet i kemi zhvillu me partnerë ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Kodraliu tha se prokuroria ka vlerësuar se në këtë fazë, dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk paraqesin relevancë që do të ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.

“Kolegu Vllajiq ka qenë edhe ish-prokuror në sistemin jugosllav dhe është njoftuar cilat janë bazat ligjore për përjashtimin e prokurorit. Më konkretisht neni 43 i KPP-së, i parasheh pesë arsye të cilat mund dhe është e obligueshme të përjashtohet prokurori”, u shpreh ai.

Kodraliu tha se është në dorën e gjyqtarit të vendosë për ndërprerjen e seancës dhe më pas gjykatësi Vesel Ismaili vendoi që seanca të ndërpritet, pasi theksoi se janë të obliguar të ndërpresin çdo veprim procedural derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të japë përgjigje.

Në seancën fillestare, që u ndërpre, të pranishëm ishin vëllezërit Viqentijeviq, ndërkaq Dimoviq po mbrohet në liri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon publikimin e një serie…