Leku: Çështjet pronësore vazhdojnë të jenë ndër më të ndërlikuarat
Çështjet pronësore dhe trashëgimore vazhdojnë të mbeten ndër temat më të ndjeshme dhe më komplekse për sistemin gjyqësor të Kosovës, ndërsa mungesa e dokumentacionit kadastral dhe rrethanat historike vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e proceseve gjyqësore.
Kështu ka deklaruar gjyqtari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Zenel Leku, në podcastin për të drejtat pronësore në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, ku ka theksuar se këto raste kërkojnë trajtim të veçantë dhe profesionalizëm të lartë.
“Çështjet pronësore janë çështje të ndërlikuara. Vendimmarrja shpeshherë komplikohet për shkak të mungesës së të dhënave kadastrale, pasi dihet që gjatë luftës ato janë marrë dhe janë dërguar në Serbi, gjë që edhe sot paraqet problem serioz në vendimmarrje”, ka thënë Leku.
Sipas tij, përkundër përpjekjeve për trajtim më efikas, gjykatat përballen me ngarkesë të madhe të lëndëve, sidomos në vitet e fundit për shkak të kontesteve të natyrës tjetër, siç janë ato të punës.
“Vërehet një qasje më pozitive dhe trajtim më i shpejtë i këtyre rasteve, por ngarkesa e madhe me lëndë të tjera, sidomos kontestet e punës, ndikon drejtpërdrejt edhe në zvarritjen e çështjeve pronësore”, ka shtuar ai.
Gjyqtari i Gjykatës Supreme ka bërë të ditur se mesatarja e trajtimit të çështjeve pronësore në Kosovë sillet rreth pesë vjet, duke theksuar se po punohet që kjo kohë të zvogëlohet dhe të përputhet me standardet evropiane.
“Sipas studimeve, çështjet pronësore zgjasin mesatarisht rreth pesë vjet. Po punohet që kjo kohë të zvogëlohet dhe të jetë brenda standardeve që kërkohen edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka theksuar Leku.
Ai ka përmendur gjithashtu se mungesa e komunikimit procedural me Serbinë mbetet një nga faktorët kryesorë që pamundëson trajtimin e disa rasteve.
“Ligji përcakton mënyrën e komunikimit me palët në procedurë. Kur komunikimi është i pamundur, gjykata detyrohet të ndërpresë ose të pushojë gjykimin”, ka sqaruar ai.
Duke folur për të drejtat e grave në trashëgimi, Leku ka vlerësuar se ka një trend pozitiv sa i përket vetëdijesimit dhe paraqitjes së rasteve nga gratë në gjykatë, megjithatë sfidat mbeten të pranishme.
“Vërehet një trend pozitiv i paraqitjes së rasteve nga gratë që kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre nga trashëgimia ose pasuria e përbashkët e bashkëshortëve”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se përjashtimi nga trashëgimia përbën shkelje serioze dhe në disa raste edhe vepër penale.
“Ka raste kur trashëgimia hapet pa u njoftuar trashëgimtarët, kryesisht gratë, dhe kjo përbën shkelje serioze. Trashëgimtari nuk mbetet pa pjesën e tij dhe ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës”, ka deklaruar Leku.
Leku ka nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të praktikës unike gjyqësore, duke përmendur mendimet juridike të Gjykatës Supreme si instrument kyç për sigurinë juridike të qytetarëve.
“Ndërtimi i praktikës unike është shumë i rëndësishëm për sigurinë juridike të qytetarëve. Vendimmarrje të ndryshme për rrethana të njëjta krijojnë pabarazi dhe pasiguri”, ka thënë ai.
Në fund, gjyqtari i Gjykatës Supreme u ka bërë thirrje qytetarëve që të besojnë në sistemin gjyqësor.
“Mesazhi im është që qytetarët të besojnë në sistemin gjyqësor. Ne jemi këtu për të bërë të gjitha përpjekjet që të realizohen të drejtat e tyre”, ka përfunduar Leku.



