Shiroka-Pula: Fuqizimi i grave është çështje e barazisë dhe zhvillimit ekonomik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka theksuar rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave, krijimit të mundësive të barabarta dhe mbështetjes institucionale për zhvillimin e bizneseve të udhëhequra nga gratë.
Duke iu drejtuar pjesëmarrëseve në Konferencën Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimet B2B – edicioni i katërt, “SHE RISES REGIONAL 2026”, ajo ka thënë se ky aktivitet përbën një mundësi të rëndësishme për prezantimin e punës së grave ndërmarrëse, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e bashkëpunimeve të reja. Ajo ka theksuar se fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por edhe faktor i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të shoqërisë.
“Kjo është një mundësi për të prezantuar punën tuaj, për të shkëmbyer përvojat dhe për të krijuar mundësi të reja. Fuqizimi ekonomik i grave është çështje e barazisë, por edhe e zhvillimit ekonomik. Kur gratë kanë mundësi të zhvillojnë bizneset e tyre, përfiton gjithë shoqëria. Krijohen vende pune, rritet konkurrenca dhe forcohet ekonomia. Megjithatë, gratë ende përballen me pengesa në qasjen në financim, tregje dhe rrjete biznesi”, është shprehur Shiroka-Pula.
Ajo ka theksuar se, përtej nxitjes së grave për të hapur biznese, institucionet dhe mekanizmat përkatës duhet të krijojnë kushte që këto biznese të zhvillohen, të qëndrojnë në treg dhe të kenë mbështetjen e nevojshme për të arritur sukses afatgjatë.
“Prandaj, duhet të punojmë që ato jo vetëm t’i hapin bizneset, por edhe t’i zhvillojnë dhe t’i mbështesin ato. Kjo çështje ka edhe rëndësi dhe domethënie personale për mua. Në fillim të vitit 2000, isha pjesë e grupit të punës për integrimin e grave në ekonomi, gjatë hartimit të planit të veprimit të Kosovës për arritjen e barazisë gjinore. Plani u miratua në vitin 2004. Prej atëherë, bindja ime mbetet e njëjtë: barazia gjinore merr kuptim kur shndërrohet në mundësi konkrete për gratë”, ka deklaruar ajo.
Duke folur për progresin e arritur në Kosovë, Shiroka-Pula ka përmendur se mbi 12 mijë gra kanë përfituar nga programet e mbështetjes së punësimit, por ka nënvizuar se rezultatet e deritanishme nuk duhet të jenë arsye për të ndalur përpjekjet për krijimin e mundësive të reja ekonomike për gratë.
“Kosova ka shënuar hapa përpara. Mbi 12.000 gra kanë përfituar nga programet e mbështetjes së punësimit, por duhet të bëhet më shumë. Nëse qasja në kredi mbetet një nga sfidat kryesore, bankat dhe institucionet financiare duhet të shqyrtojnë kritere më fleksibile për kreditim. Një biznes duhet të vlerësohet edhe për idenë, planin dhe potencialin e tij, jo vetëm për pronën që mund të ofrojë si garanci”, ka theksuar Shiroka-Pula.
Një tjetër çështje të cilës ajo i ka kushtuar rëndësi ka qenë barra e punëve të papaguara dhe ndikimi i saj në mundësitë e grave për punësim dhe ndërmarrësi.
Sipas saj, mungesa e shërbimeve të mjaftueshme të kujdesit për fëmijët dhe shpërndarja jo e barabartë e përgjegjësive familjare vazhdojnë të kufizojnë pjesëmarrjen ekonomike të grave.
“Po ashtu, shërbimet e kujdesit për fëmijë janë thelbësore. Gratë në Kosovë kalojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë duke kryer punë pa pagesë. Kjo barrë e kufizon kohën për punësim dhe zhvillim të bizneseve. Investimet në këto shërbime janë investim në pavarësinë ekonomike të grave”, është shprehur ajo.
Duke vlerësuar rëndësinë e konferencës dhe takimeve B2B, Shiroka-Pula ka thënë se aktivitete të tilla krijojnë hapësira konkrete për bashkëpunim ndërmjet grave ndërmarrëse, zhvillimin e kontakteve biznesore dhe zgjerimin e mundësive për qasje në tregje të reja.
“Kjo konferencë krijon mundësi për bashkëpunim, takime biznesore dhe qasje në tregje të reja. Shpresoj që këto takime të sjellin partneritete konkrete dhe rezultate afatgjata. Fuqizimi ekonomik i grave është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, sektorit financiar, bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka deklaruar ajo.
Në përmbyllje të fjalës së saj, Shiroka-Pula u ka drejtuar një mesazh grave dhe vajzave ndërmarrëse, duke vlerësuar potencialin, kreativitetin dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar në zhvillimin ekonomik.
“Gratë ndërmarrëse kanë ide, aftësi dhe vullnet për të pasur sukses. Detyra jonë është të sigurojmë mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tyre. Të dashura gra dhe vajza, ju dëshiroj shumë sukses në ide, në kreativitet, në investime dhe në rezultate konkrete”, ka shtuar Shiroka-Pula.
Konferenca Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimet B2B, edicioni i katërt “SHE RISES REGIONAL 2026”, synon të krijojë ura bashkëpunimi, të fuqizojë rrjetëzimin e grave në biznes dhe të kontribuojë në zgjerimin e mundësive ekonomike për gratë ndërmarrëse në nivel rajonal.




