Rreth 100 prokurorë do të angazhohen për mbrojtjen e procesit zgjedhor
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPS) ka njoftuar se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 28 dhjetor 2025, janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.
Sipas njoftimit zyrtar, prokurorët dhe zyrtarët përkatës do të jenë kujdestarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve.
ZKPS-ja ka theksuar se Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor.
Njëkohësisht, Prokurori i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave të ndryshme që të denoncojnë në prokuroritë përkatëse çdo rast për të cilin dyshohet se ka keqpërdorim apo manipulim të votës, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.



