Rritja e tatimit në pronë, bizneset përballë ‘katastrofës’ tatimore
Tatimi në pronë në Kosovë pritet të shënojë rritje mbi 200 për qind nga janari, pas dështimit të miratimit të projektligjit për ndarjen buxhetore 2026 në Kuvend. Ligji për tatimin në pronë, që përfshin shkallën progresive të tatimit, ishte miratuar në vitin 2024, dhe zbatimi i tij ishte planifikuar për vitin 2025.
Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore në vitin 2025, zbatimi i shkallës progresive u shty për vitin 2026, për të krijuar hapësirë për rishikim ligjor dhe koordinim me komunat, të cilat kishin kërkuar lehtësime për qytetarët dhe bizneset. Vendimi për shtyrjen u bë ligjërisht përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore të miratuar në dhjetor 2024, që siguroi bazën ligjore për këtë shtyrje.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një deklaratë për “Kosovapress” ka paralajmëruar se tatimi në pronë për prona komerciale mund të rritet mbi 200 për qind, nëse nuk ndryshohet vendimi i Ministrisë së Financave lidhur me aplikimin e shkallës progresive të tatimit në pronë.
Asociacioni i Komunave të Kosovës shpreson që Ministria e Financave të marrë vendim për shtyrjen e afatit të lëshimit të fletëpagesave për qytetarët dhe bizneset.
Shqetësimet janë të pranishme edhe te sektori i bujqësisë. Fermeri Valon Vehapi, i cili kultivon drithëra në rreth 200 hektar tokë dhe shumicën e ngastrave i ka me qira, ka thënë se rritja e tatimit në pronë do të rëndonte më shumë buxhetin e fermerëve dhe do të ndikonte drejtpërdrejt shtresën më të varfër.
Megjithatë, sipas ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, tani nuk është më e mundur që vendimi të shtyhet sërish pa miratimin e Kuvendit për ligjin për ndarjen buxhetore. Pa këtë ligj, shkalla progresive rrezikon të hyjë në fuqi pa asnjë ndryshim, duke rritur ndjeshëm faturat për qytetarët dhe bizneset, përfshirë pronat komerciale.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se pa një qeveri të re të formuar shpejt dhe pa miratimin e ligjit për ndarje buxhetore, nuk është e mundur të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore.
Ligji për tatimin në pronë në Kosovë përfshin shkallën progresive të tatimit për pronat individuale, pronat komerciale dhe tokat bujqësore. Zbatimi i kësaj shkalle progresive është shtyrë për vitin tatimor 2026 përmes Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, më 12 dhjetor 2024.



