Voton Donika Gërvalla: Le ta forcojmë Republikën me pjesëmarrje masive
Ministrja në detyre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka votuar në shkollën “Naim Frashëri”.
Ajo ka bërë thirrje që sot të ketë pjesëmarrje masive në votim.
“Në një ditë kaq të bukur si kjo, festa e demokracisë po ndihet kudo. Në shkollën “Naim Frashëri”, entuziazmi për të votuar ishte i prekshëm gjithandej, që në orët e hershme të mëngjesit. Korridore të stërmbushura, radhë të gjata, fytyra të qeshura dhe vullnet i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Republikës sonë për ta kthyer këtë ditë në një festë të vërtetë të demokracisë”.
“Në një atmosferë të tillë, votova edhe unë, për Kosovën, për Republikën tonë. Demokracia është zemra e shtetit të Kosovës. Andaj, dil të lutem e voto edhe ti, secili e secila, që të gjithë. Shfrytëzo të drejtën tënde, sepse vota jote është arma jote më e fuqishme. Le ta forcojmë Republikën me pjesëmarrje masive, me kulturë e dinjitet qytetar. Faleminderit nga zemra për secilin e secilën që po e bën sot demokracinë edhe me të prekshme”, ka shkruar Gërvalla në “Facebook”.



