“SPAK, SPAK, SPAK…”, Rama: Opozita në depresion e përdor për ta goditur qeverinë
Pyetja e parë që i është kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në konferencën e fundit për vitin 2025 lidhej me punën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Ai është pyetur rreth protestave të opozitës të cilat janë planifikuar të mbahen edhe përgjatë 2026-ës, derisa siç ka deklaruar Sali Berisha, të rrëzohet qeveria.
“Meqë fjalën dhe kryefjalën dhe kallëzuesin e kundrinorin e keni SPAK, pikën e parë e keni SPAK-un, do përgjigjem natyrisht. SPAK-u nuk është opozita e qeverisë, është institucion i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse. I garantuar nga kjo forcë qeverisëse, në sensin që të tjerë janë betuar se do ta shkrinin, por nuk e bëjnë dot sepse votat i kemi ne. Kështu që, nuk është opozitë e qeverisë, por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita politike e qeverisë, bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë”.
“Natyrisht, të 700 tenxheret, produktin e gjithë procesit e marrin dhe e ziejnë, gatuajnë 700 lloj gjellërash duke bërë diçka që nuk ndodh këtu për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut, që shurdhon publikun me presion dhe dezinformon publikun thellësisht”.
“Sa i përket protestave poshtë penxheres, i kemi ndarë punët prej shumë vitesh, unë dhe PS-ja në zyrë, të tjerët në rrugë. Në liritë njerëzore siç e patë, Shqipëria është në vend shumë dinjitoz dhe kjo është pjesë e lirive, s’kam problem unë me këto”, ka thënë Rama për “Tv Klan”



