Albin Kurti viziton kazermën “Adem Jashari” në ndërrimin e viteve

01 janar 2026 | 02:24

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë në momentet e ndërrimit të viteve, duke shënuar kështu fundin e vitit 2025 dhe fillimin e vitit 2026 së bashku me institucionet e sigurisë së vendit.

Kurti ka bërë të ditur se orën e fundit të vitit 2025 e ka kaluar në stacionin Qendra të Policisë së Kosovës, ndërsa në ora 00:00 ka qenë në kazermën “Adem Jashari”. Ai theksoi se takimi i fundit për vitin 2025 dhe i pari për vitin 2026 ishte me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe me ushtarët kujdestarë të FSK-së.

“Këta ushtarë, me profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të palëkundur, mishërojnë vlerat më të larta të sakrificës dhe përgjegjësisë për sigurinë e Republikës sonë. Ata janë garanci për paqen në vend dhe për një të ardhme të sigurt të Republikës”, ka shkruar Kurti.

Në fund, kryeministri në detyrë ka uruar Vitin e Ri për të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në shërbim të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup…