Vdes Nexhat Daci
Ka ndërruar jetë politikani kosovar, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.
Lajmin e ka bërë me dije akademik Arsim Bajrami.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë se ka ndërruar jetë Akademik Prof. Dr. Nexhat Daci, një prej personaliteteve më të shquara të shkencës, arsimit dhe jetës publike në Kosovë”, ka njoftuar Bajrami.
Akademik Daci lindi në vitin 1944 në Tërnoc. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Leskoc (1956–1960). Studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore – Dega e Kimisë në Beograd (1962–1966) i përfundoi me sukses të lartë, duke u diplomuar në qershor 1966. Studimet pasuniversitare i vijoi në të njëjtin fakultet (1966–1968), për të vazhduar më tej me specializim në Liège të Belgjikës (1970). Gradën e doktorit të shkencave e mori në Universitetin e Zagrebit (1973), ndërsa studimet postdoktorale i realizoi në Universitetin e Bradfordit – Angli (1974).
Karrierën akademike e nisi në vitin 1968 në Katedrën e Kimisë të Fakultetit Filozofik dhe u avancua në të gjitha titujt akademikë: ligjërues (1971), profesor inordinar (1974) dhe profesor ordinar (1984). Mori pjesë në dhjetëra konferenca e projekte shkencore brenda e jashtë vendit, duke përfaqësuar Kosovën në simpoziume ndërkombëtare në SHBA, Angli, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë.
Akademik Daci ishte autor i dhjetëra librave universitarë dhe i qindra punimeve shkencore të botuara në revista vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kimisë, arsimit të lartë dhe kulturës shkencore në Kosovë.
Ai ishte anëtar i Shoqatës Kimike Amerikane (1985), i Akademisë Evropiane për Çështjet e Mjedisit (1987), si dhe anëtar korrespondent (1993) dhe anëtar i rregullt (1996) i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vitin 2014 u pranua si anëtar i Akademisë Europiane së Shkencave dhe Arteve.
Në karrierën institucionale mbajti funksione të rëndësishme: Shef i Degës së Kimisë (1971–1973); Sekretar i Përgjithshëm i ASHAK-ut (1994–1999); Kryetar i ASHAK-ut (1999–2002 dhe 2018–2019). Në jetën publike ishte deputet i Kuvendit të Kosovës (2001–2011) dhe Kryetar i Parlamentit të Kosovës në dy mandate (2000–2004 dhe 2004–2006).
Kontributi i Akademikut Nexhat Daci në shkencë, arsim dhe jetën institucionale do të mbetet përjetësisht i çmuar dhe i paharruar për vendin.



