Ky është i arrestuari në operacionin “Ora e Fundit”: Kapen rreth 20 mijë tableta ekstazi, vlera

01 janar 2026 | 11:51

Një operacion i gjerë antidrogë i Policisë së Kosovës ka përfunduar me arrestimin e një personi të dyshuar për trafikim të narkotikëve, raporton Sinjali.

Më 31 dhjetor 2025, rreth orës 19:00, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një hetimi intensiv rreth njëmujor, ka finalizuar operacionin e koduar “Ora e Fundit”.

Në magjistralen Podujevë–Prishtinë, në afërsi të fshatit Trudë, njësitë policore kanë ndaluar një veturë me targa vendore, e drejtuar nga Aziz Hamiti. Gjatë kontrollit të veturës, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme prej rreth 20 mijë tabletash narkotike të llojit Ekstazi (MDMA).

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se droga ishte futur ilegalisht nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të shpërndarjes në tregun e brendshëm.

Si rezultat i veprimeve policore: është arrestuar një person, janë sekuestruar 7 paketime me tableta Ekstazi (MDMA), është sekuestruar një veturë Daimler Chrysler E320 CDI, ngjyrë e zezë.     

Po ashtu, me urdhër të organeve kompetente, është bastisur banesa e të dyshuarit në lagjen Tophane në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar tri qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Vlera e përafërt e substancës së sekuestruar në tregun e zi vlerësohet rreth 200 mijë euro.

Me urdhër të Prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti po trajtohet për veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. Hetimet janë në vazhdim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur…