‘Grupi parlamentar’ i PDK-së i kërkoi presidentes ta kthejë ligjin, Gruda kundër, Çitaku e mbështet me ‘like’
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se “Grupi Parlamentar” i saj i ka kërkuar presidentes Justina Shiroka-Pula, përmes një letre zyrtare, kthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara, pas ndryshimeve të miratuara në natën kur u zgjodh presidentja.
Kjo kërkesë ka nxitur qëndrime të ndryshme brenda PDK-së lidhur me atë nëse duhej të ndërmerrej një hap i tillë.
Ndryshe nga arsyetimi i PDK-së, e cila ka thënë se synimi ishte shmangia e pengesave të mundshme në zbatimin e ligjit, deputeti Përparim Gruda, njëri nga hartuesit e ndryshimeve, ka këmbëngulur se ato nuk përmbajnë gabime.
Përmes një postimi në “Facebook”, Gruda ka thënë se qëndron prapa Ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij. Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të”, ka shkruar Gruda.
Ai ka shtuar se, nëse Kuvendi e rishqyrton ligjin, kjo duhet të bëhet “me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”.
Qëndrimin e Grudës e ka mbështetur edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka pëlqyer postimin e tij në “Facebook”.
Pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit të partisë, organet drejtuese të PDK-së e kanë caktuar Çitakun ushtruese të detyrës së kryetares.
Gjatë kësaj periudhe, sipas njoftimit të partisë, do të organizohen dhe mbahen zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet.




