TRINGA IBRAHIMI, RRUGËTIMI DREJT YJEVE!

02 janar 2026 | 12:32

Behxhet SHALA – BAJGORA

Sfidimi i së padukshmes dhe të pamundurës: Ish të burgosurit politikë kanë vuajtur shumë në llogoret e ish-Jugosllavisë. Kanë vuajtur shumë edhe familjet, edhe nga varfëria si dhe nga dhuna e pushtetit. Kanë vuajtur shumë nënat tona gjithmonë me sy të përlotur nga malli për djemtë dhe vajzat që mbaheshin në burgje ku humbej rinia . Edhe gratë e atyre që ishin të martuar kishin vuajtje si dhe të fejuarat por se stoikisht prisnin kthimin e të dashurve të tyre, pa ditur nëse do të ktheheshin të gjallë. Malli i të burgosurve ishte shkollimi i fëmijëve e që përballeshin me shumë pengesa sepse ishin fëmijë “të armiqve të popullit”. Kur dolën nga burgu e sidomos pas përfundimit të luftës u krijuan rrethana dhe mundësi tjera për shkollimin e fëmijëve. Nuk kishte më pengesa të natyrës politike. Mësoheshin gjuhë të huaja, teknologjia zhvillohej me shpejtësi të dritës duke ndihmuar në ngritjen e cilësisë, si në mësimdhënie ashtu edhe në mësimnxënie.
Përkundër sakrificave të mëdha, të burgosurit politikë mbetën një komunitet i margjinalizuar dhe i cenueshëm. Prandaj investonin në shkollimin e fëmijëve sepse një i shkolluar dhe i ditur vlen sa njëmijë ushtarë. Kur dielli shpërndanë rreze, i dituri shpërndanë dritë. Ne të burgosurit politikë fort gëzohemi kur fëmijët e shokëve i kapin majat e shkollimit, sikur për fëmijët tanë. Edhe kur nuk i takojmë, i njohim nga shokët përmes interesimit të vazhdueshëm.
Tringa Ibrahimi është njëra prej tyre. Shpresa dhe krenaria e prindërve është krenari edhe për ne. Është vajzë e zonjës Verije Ibrahimi dhe e Basri Ibrahimit, ish i dënuar politik nga regjimi i Millosheviqit që vuajti dënimin e gjatë në Burgun famëkeq të Goli Otokut dhe Llogorin e Stara Gradishkës, bashkë me Bacën Adem Demaçi abetaren dhe kuptimin e luftës për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar. Babai i Tringës, Basriu u përndoq edhe në Kosovën e lirë nga regjimi i Kurtit duke e larguar nga puna për shkaqe politike.
Tringa që nga klasa e shtatë u përkushtua ndaj teknologjisë informative me pasion dhe vullnet të habitshëm për një fëmijë të kësaj moshe. Një kompjuter, vullnet dhe punë u bënë udhërrëfimi drejt majave të dijes dhe valëzimit të kësaj dije në mesin e të rinjve përmes ndërtimit dhe programimit të platformave që paraqisnin sfidë edhe për mosha shumë më të mëdha. Shkollimin e vazhdoi në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë tashmë si profesioniste në fushën e teknologjisë informative duke organizuar kurse dhe trajnime për vajza në mënyrë që t’i zhvillojnë shkathtësitë e tyre në këtë fushë.
Në rrugën e gjatë të synimit për arritjen e majave profesionale pas një gare ndërkombëtare, në Bruksel, Tringa Ibrahimi është shpallur si tinejxherja më motivuese në Evropë duke u nderuar me çmimin prestigjioz “Aspirin Teen Award”. Rëndësia e këtij çmimi ndërkombëtar është se vlerëson të rinjtë për arritje të veçanta në fushën e edukimit, lidershipit, angazhimit shoqëror dhe ndikimit pozitiv në komunitet. Për një 19-vjeçare nga një vend i vogël si Kosova përveç vlerësimit ndërkombëtar paraqet shembullin dhe udhëzuesin më të mirë për të rinjtë, jo vetëm nga Kosova se promovimi i vlerave të punës, guximi dhe përkushtimi janë qenësore drejt qëllimit të lartë shoqëror.
Tringa Ibrahimi sukseset deri më tani ua përkushton prindërve që e mbështetën çdo përpjekje të saj, vendit të saj Kosovës ku ka filluar ëndrrën nga u shkëput, shpresoj vetëm përkohësisht, drejt Yllësisë së Madhe në fushën e teknologjisë informative duke filluar studimet në vitin 2025 në “GEORGIA INSTITUT OF TECHNOLOGY” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejtimi: Inxhinier i Biomjekësisë.
Urime Tringa Viti i Ri 2026 duke të dëshiruar shumë suksese në profesionin e përzgjedhur dhe misionin e shenjtë të përfaqësimit shembullor të familjes, popullit që i takon dhe vendit nga je nisur në këtë rrugëtim aspak të lehtë. U bëfsh si motra jote nga toka dhe gjaku, Mira Murati. Rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë me një qëllim…..drejt suksesit që pashmangshëm do ta arrish. Qofsh e bekuar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka…