Fadil Demaku falënderon votuesit e PDK-së për mbështetjen në zgjedhje
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Fadil Demaku, ka falënderuar publikisht të gjithë anëtarët, miqtë dhe votuesit e PDK-së për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit.
Përmes një reagimi, Demaku u shpreh mirënjohës për rreth 17 mijë votat e fituara, duke theksuar se, ndonëse nuk ishin të mjaftueshme për të siguruar një ulëse në Kuvend, ato përfaqësojnë një përkrahje të madhe dhe domethënëse për të dhe për partinë.
Ai vlerësoi PDK-në si një parti të fuqishme, të ndërtuar mbi vlera dhe besim, duke shprehur bindjen se ajo do të vazhdojë të ecë përpara me vendosmëri, pavarësisht sfidave aktuale.
Po ashtu, Demaku uroi për sukses përfaqësuesit e PDK-së që kanë siguruar mandate në Kuvend, duke shpresuar që ata të jenë përfaqësues dinjitozë të partisë dhe të qytetarëve në legjislaturën e re.
“Respekt dhe shumë suksese të gjithëve”, ka përfunduar mesazhin e tij Fadil Demaku.



