Altin Krasniqi mbetet jashtë Kuvendit të Kosovës

03 janar 2026 | 18:32

Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, nuk ka arritur të sigurojë mandat deputeti në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Krasniqi ishte kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në një reagim publik, Krasniqi ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe votat e marra, duke theksuar se, ndonëse rezultati nuk ishte i mjaftueshëm për të arritur synimin, për të kjo përfaqëson një besim të madh qytetar.

Ai ka deklaruar se gjatë fushatës ka ndier respekt dhe pritje për ndryshim në çdo vend ku është takuar me qytetarët, duke theksuar se angazhimi i tij politik ka qenë dhe do të mbetet në shërbim të interesit të përgjithshëm, e jo personal.

Krasniqi ka rikujtuar gjithashtu se mandati i tij i parë parlamentar ka qenë i shkurtër, por sipas tij, gjatë asaj kohe ka dhënë maksimumin për vendin dhe për partinë, duke vepruar me përgjegjësi politike. Ai ka nënvizuar se edhe në momente të vështira ka respektuar vendimet e partisë, madje edhe atëherë kur ka qenë i vetëdijshëm se ato do t’i kushtonin politikisht.

Sipas Krasniqit, në politikë shpesh vlerësohen më shumë vendimet populliste ose heshtja, sesa qëndrimi i hapur dhe mbrojtja e bindjeve politike. Megjithatë, ai thekson se roli i individit ka kuptim vetëm nëse i shërben një vizioni më të madh dhe një qëllimi të përbashkët.

Në fund të reagimit të tij, Altin Krasniqi ka shprehur shpresën që kushdo që do të qeverisë Kosovën, ta ketë prioritet përmirësimin e jetës së qytetarëve, zhvillimin, normalitetin dhe bashkëjetesën demokratike. Ai ka kritikuar stagnimin, përçarjen dhe gjuhën e urrejtjes, të cilat sipas tij e kanë karakterizuar qeverisjen gjatë pesë viteve të fundit, veçanërisht gjatë vitit 2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pasditen e së…