Bekim Jashari: “Valo, o flamuri më i bukur në botë”
Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka deklaruar në një studio televizive se, nëse Murat Jashari synon të bëhet President i Kosovës, atëherë duhet të largohet flamuri i Shqipërisë nga varrezat e dëshmorëve. Sipas tij, për të marrë një post të tillë, duhet të respektohet flamuri shtetëror i Kosovës.
“Për t’u bërë president duhet të kalosh nëpër verdhë e kaltër. Në varrezat e kryeheronjve të Kosovës nuk duhet të valojë flamuri i Shqipërisë, por ai i Kosovës”, ka deklaruar Spahiu.
Pas këtyre deklaratave, reagimi i Bekim Hamëz Jasharit ishte i menjëhershëm. Ai ka publikuar një fotografi me motrën e vet nga varrezat e heronjve në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial të familjes Jashari, ku shihet duke valëvitur flamurin kombëtar shqiptar, kuq e zi.
Krahas fotografisë, Jashari ka shpërndarë edhe një mesazh emocional, duke theksuar lidhjen historike dhe sakrificën e brezave për flamurin kombëtar.
“Amanet na e lanë të parët, brez pas brezi e djalë pas djali. Me gjakun dhe sakrificën e tyre u rritëm ne, për ta mbajtur lart me krenari.
Valo, o flamuri më i bukur në botë 🇦🇱”, ka shkruar Bekim Jashari.



