Agim Çeku shpreh mirënjohje të thellë për votuesit dhe mbështetësit e tij
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Agim Çeku, ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë votuesit dhe mbështetësit e tij pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Përmes një mesazhi falënderimi, Çeku ka vlerësuar lart mbështetjen e dhënë ndaj AAK-së dhe kandidaturës së tij gjatë fushatës elektorale, duke theksuar se 18 mijë e 372 votat e fituara për të përbëjnë një përgjegjësi dhe obligim të madh moral.
“Këto vota për mua janë të shenjta, sepse janë shprehje e besimit të palëkundur të mijëra bashkëluftëtarëve dhe invalidëve të luftës, të cilët ende mbajnë plagët dhe pasojat e sakrificës për liri. Ata që kanë dhënë më së shumti për lirinë, e dinë më së miri vlerën e saj dhe nuk dorëzohen kurrë”, ka shkruar Çeku.
Ai ka theksuar se këta qytetarë përfaqësojnë shtyllën kryesore të qëndresës në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, të cilat sipas tij po kërcënohen nga populizmi dhe arroganca politike.
Në fund të mesazhit, Çeku ka theksuar se do të vazhdojë të jetë krah mbështetësve të tij, krah kryetarit Ramush Haradinaj dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në betejën për demokraci.
Agim Çeku nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës për shkak të kuotës gjinore, pavarësisht numrit të konsiderueshëm të votave të fituara.



