‘Autostradat e Thaçit s’po arrini as t’i mirëmbani’, Musliu-Shoshi kritikon qeverinë për buxhetin e vitit 2027
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar qeverinë gjatë raportimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, në Komisionin Parlamentar për Buxhet, ku janë diskutuar ndarjet buxhetore për vitin 2027.
Musliu-Shoshi ka akuzuar qeverinë për mungesë të investimeve kapitale dhe për, siç ka thënë ajo, dështim në mirëmbajtjen e autostradave të ndërtuara gjatë qeverisjeve të mëparshme.
“Dy autostradat kryesore të Kosovës, me gjithsej 167 kilometra, u ndërtuan gjatë qeverisjeve ku PDK-ja ishte në pushtet. Sot, ju e keni problem edhe t’i mirëmbani! Ne ndërtuam autostrada, ndërsa ju nuk po arrini as t’i mirëmbani ato që i gjetët të gatshme”, ka deklaruar deputetja.
Ajo ka ngritur shqetësime edhe për rritjen e çmimeve dhe dobësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve.
“Qytetarët nuk ushqehen me statistika, por jetojnë me pagat që marrin! Nëse ekonomia po lulëzon, pse qytetari me të njëjtën pagë sot blen më pak se vitin e kaluar?”, ka pyetur Musliu-Shoshi.
Sipas saj, inflacioni i godet më rëndë qytetarët me të ardhura të ulëta, veçanërisht pensionistët, të cilët mund të përballen me vështirësi në sigurimin e barnave dhe ushqimit.
Deputetja e PDK-së ka kërkuar që qeveria të marrë përgjegjësi për politikat ekonomike.
“Nuk mund ta fajësoni për çdo dështim as opozitën, as ngushticën e Hormuzit. Jeni në pushtet për të marrë përgjegjësi, jo për të prodhuar arsyetime”, është shprehur ajo.
Në fund, Musliu-Shoshi e ka cilësuar projektbuxhetin e vitit 2027, prej mbi 4 miliardë eurosh, si “buxhet mbijetese, aspak zhvillimor”, duke kërkuar më shumë investime konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.



