Lumir Abdixhiku sulmon mediat, i quan “mercerenarë” e “pazarxhinjë”

10 janar 2026 | 16:24

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka sulmuar sot mediat, kritikët dhe opinionistët, duke i quajtur ata “mercenarë” dhe duke i përshkruar si “pazarxhinjë”.

Abdixhiku ka thënë se deputeti i partisë së tij, Besian Mustafa i ka trazuar “mercenarët”, duke aluduar në një deklaratë që ky i fundit bërë në një debat televiziv ku tha se LDK ka bërë gabim trashanik që e ka votuar Hashim Thaçin për president.

Kreu i LDK-së ka vazhduar tutje sulmin duke thënë se LDK nuk matet me tituj portalesh mercenarizmi e as me opinione të porositura.

“Le t’i ballafaqojmë mercenarët dhe paratë që i aktivizojnë kundër njerëzve më të mirë të Lidhjes; sikurse Besian Mustafa”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.

Postimi i tij i plotë:

Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian?

Besiani, një politikan shembullor, e LDK me gjithë të, nuk kanë frikë nga zhurma. As nga sulmet e paguara. LDK nuk matet me tituj portalesh mercenarizmi e as me opinione të porositura nga dëshpërimi se nuk i fusin thonjtë dot tek anëtarësia e LDK-së. Nuk po ju dëgjojnë. Nuk po ju llogarisin.

I keni partitë tuaja.
Mbajeni duhmën e pazareve mes tyre.

Ka kush merret me LDK-në. Veç ju dhe partitë tuaja, kurrë jo. Kjo shtëpi e ka anëtarësinë që e do pa kushte; që e mbronë nëpër ditë të vështira, nëpër sulme, nëpër zhgënjime.

Sa herë që LDK është sulmuar, ka qenë sepse ka qenë e fortë nga brenda. Dhe kjo i bën nervoz. Sepse uniteti ynë, në të mirë e vështirë – sidomos në të vështirë – është pengesë fatale për pazare, për pushtete të lehta dhe për interesa primitive. Sulmet nuk na dobësojnë. Na bëjnë më të qartë pse jemi këtu.

Ne nuk do të përgjigjemi me mllef. Do të përgjigjemi me punë. Me program. Me besim te shteti dhe te qytetari. Me njerëz të së ardhmes, mu sikurse Besiani! Kjo është përgjigjja jonë. Qetë. Drejt. Dhe përpara. Trazimet le të vazhdojnë. Hapur, madje. Le t’i ballafaqojmë mercenarët dhe paratë që i aktivizojnë kundër njerëzve më të mirë të Lidhjes; sikurse Besian Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 29-vjetorin e vdekjes së artistit Avdush Hasani, Nënkryetari i…