Mustafa përmbahet për situatën në LDK: Do të adresohen në organe partiake, ashtu siç kanë paralajmëruar
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike te Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka refuzuar të komentojë situatën aktuale në të cilën gjendet partia që i priu dhe debatet në publik rreth llogaridhënies së kryesisë aktuale që në dukje e siç kritikohet po tenton t’i shmanget përgjegjësisë.
Mustafa që s’ishte edhe aq i përmbajtur pak para zgjedhjeve për qëndrimin partiak rreth trajtimit të figurave të LDK-së ka vendosur këtë herë që t’i shmanget këtij debati publik. Megjithatë, ai ka thënë për “Vox Kosova” se këto çështje do të adresohen në forumin e subjektit politik, siç ishte paralajmëruar që gjithashtu e theksoi.
“Jam përmbajtur këtë kohë nga involvimi në këto debate”, ka thënë Mustafa kur është pyetur për sulmet e Abdixhikut ndaj kritikëve dhe nëse ai duhet të jap dorëheqje.
Mustafa beson se “LDK-ja do t’i shtrojë këto çështje në organet partiake, ashtu siç kanë paralajmëruar”.
Abdixhiku ditëve të fundit por edhe më parë kishte hedhur baltë mbi komentatorët politik në opinion publik që kritikonin LDK-në për qëndrimet dhe vendimet e kësaj partie.



