Gjilani hap thirrjen për subvencionimin e qirasë për familjet në nevojë
Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit ka njoftuar sot hapjen zyrtare të thirrjes për aplikim në kuadër të programit të banimit për subvencionimin e qirasë, e cila ka nisur më 12 janar 2026.
Ky program ka për qëllim të mbështesë familjet që gjenden në kushte të vështira ekonomike dhe që nuk posedojnë banesë apo shtëpi në pronësi, duke lehtësuar barrën financiare të qirasë dhe përmirësuar kushtet e tyre të banimit.
Sipas njoftimit zyrtar, të drejtë aplikimi kanë të gjitha familjet rezidente në territorin e Komunës së Gjilanit, të cilat plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas udhëzimeve përkatëse.
Afati për dorëzimin e kërkesave është 15 ditë pune, nga 12.01.2026 deri më 30.01.2026, ndërsa aplikimet pranohen në Qendrën për Shërbime me Qytetarë.
“Ky program është një mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet më të cenueshme të komunës sonë dhe synon t’u krijojë atyre kushte më të dinjitetshme të jetesës”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Nga Komuna e Gjilanit është theksuar se kërkesat e dorëzuara pas përfundimit të afatit nuk do të merren në shqyrtim, andaj qytetarët e interesuar ftohen të aplikojnë me kohë.
Për informacione shtesë dhe sqarime, aplikuesit mund t’i drejtohen Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila do të ofrojë mbështetje gjatë gjithë periudhës së aplikimit.



