Meta: Prej 15 muajsh jam rrëmbyer paligjshëm nga banditë me maska, nuk ka asnjë fakt penal kundër meje

14 janar 2026 | 13:29

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu në lidhje me mënyrën se si ai për 15 muajsh po mbahet i mbyllur.

“Prej 15 muajsh, siç dihet botërisht, unë jam rrëmbyer në mënyrë të paligjshme nga banditë me maska dhe ende sot e kësaj dite nuk kemi asnjë person përgjegjës nga Prokuroria, pavarësisht nga kallëzimi ynë penal i bërë në SPAK. Po kështu, prej 7-muajsh më është komunikuar akuza si i pandehur dhe ende Prokurorët nuk më kanë vënë në dispozicion një pjesë të mirë të akteve të dosjes të kërkuara nga unë me insistim në seancat gjyqësore. Madje në seancën e fundit mu dorëzua nga prokurorët një dëshmi, e cila kishte vetëm tre faqe, por që nuk dihej se sa faqe nuk i gjendeshin! Nuk dua të zgjatem me plot anomali të tjera të kësaj farse gjyqësore që nuk ka asnjë lidhje me procesin e rregullt ligjor, sepse avokatët e mi të nderuar, Z. Kujtim Cakrani dhe Z. Gylsen Zhllima janë aty për të dhënë çdo sqarim me transparencë dhe profesionalizëm. Por shkurtimisht dua t’ju theksoj me përgjegjshmëri absolute se edhe pse kemi hyrë në vitin e 8-të të hetimeve ndaj meje, nuk ekziston asgjëkundi asnjë provë apo fakt penal kundër meje”, ka shkruar ai nw “Facebook”.

Ai ka shtuar se edhe pse kanë insistuar në çdo seancë që Prokuroria të dorëzojë listën e provave të pretenduara prej saj, por sipas tij, kjo gjë nuk ka ndodhur në shkelje të procesit të rregullt ligjor.

“Lidhur me akuzat për çështjen CEZ-DIA, dua të theksoj se kjo çështje është gjykuar dy herë brenda vendit dhe në Arbitrazhin e Vjenës. Lidhur me gjykimin e saj brenda vendit tonë, asgjëkundi dhe asnjëherë nuk është përmendur emri im”, ka shkruar Meta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Po ashtu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar…