Donacion librash nga Malta për shkollën “Gëzim Hamza – Piktori” në Rahovec
Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e arsimit, shkolla “Gëzim Hamza – Piktori” në Rahovec ka përfituar një donacion librash nga Malta, me qëllim të pasurimit të fondit librar dhe mbështetjes së procesit mësimor për nxënësit.
Donacioni është përcjellë përmes Remzi Ejupit, biznesmen dhe Konsull i Nderit i Republikës së Kosovës në Maltë, i cili në emër të Ministrisë së Arsimit të Maltës ka dorëzuar librat. Pranimi dhe shpërndarja e donacionit është realizuar me mbështetjen e Vesa Ejupit.
Me këtë rast, Remzi Ejupi ka shprehur falënderime dhe mirënjohje të veçantë për Ministrinë e Arsimit të Maltës, si dhe për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj nisme, e cila synon forcimin e bashkëpunimit arsimor dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit në Kosovë.
Ky donacion vlerësohet si një hap i rëndësishëm në mbështetje të arsimit dhe në pasurimin e burimeve mësimore për gjeneratat e reja.





