Nga Ukraina te Grenlanda, në Davos diskutohet e ardhmja e ekonomisë botërore
Liderë botërorë, drejtues institucionesh dhe shefa të korporatave globale janë mbledhur në Davos të Zvicrës për Forumin Ekonomik Botëror, ku për të tretën ditë me radhë, në qendër të diskutimeve janë lufta në Ukrainë, tensionet rreth Grenlandës, tarifat amerikane dhe rreziku i fragmentimit të ekonomisë globale. Në këtë forum po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Forumi Ekonomik Botëror (WEF) po mbahet nga 19 deri më 23 janar në Davos të Zvicrës, duke mbledhur liderë botërorë dhe drejtues të biznesit për të diskutuar konfliktin në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine, si dhe mënyrat për të mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik global.
Ngjarja u hap zyrtarisht më 20 janar nga presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, së bashku me bashkëkryesuesit e përkohshëm të Bordit të Fondacionit të WEF-it, André Hoffmann dhe Larry Fink, si dhe presidentin dhe drejtorin ekzekutiv të WEF-it, Børge Brende. Në Davos po marrin pjesë gjithashtu ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, ministrja e Financave, Karin Keller-Sutter, ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, si dhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa duhet të përshtatet me një botë që po ndryshon me shpejtësi. Ajo shprehu “solidaritet të plotë me popullin e Grenlandës”, duke theksuar se Bashkimi Evropian i konsideron Shtetet e Bashkuara “jo vetëm aleatë, por miq”. Megjithatë, von der Leyen paralajmëroi se përshkallëzimi i tensioneve “do të na fuste në një spirale negative që do t’u shërbente vetëm kundërshtarëve tanë strategjikë”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi në fjalimin e tij për një largim global nga e drejta ndërkombëtare. Më herët gjatë ditës, Macron u takua në Davos me kryeministrin kanadez, Mark Carney, ku diskutuan krizën në rritje rreth përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë nën kontroll Grenlandën.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u bëri thirrje vendeve evropiane që të mos kundërpërgjigjen ndaj tarifave të vendosura nga presidenti Trump. Duke folur për Fox News në Davos, Bessent tha se liderët evropianë duhet “të ndalen dhe të marrin frymë thellë”, duke paralajmëruar qartë: “Mos u kundërpërgjigjni.” Ai shtoi se presidenti Trump pritet të mbërrijë në Davos të mërkurën, ku do të takohet me aleatët e NATO-s dhe Evropës për të “përcjellë mesazhin e tij”.
Në lidhje me sovranitetin e Arktikut, kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi: “Ne qëndrojmë fuqishëm përkrah Grenlandës dhe Danimarkës dhe mbështesim plotësisht të drejtën e tyre unike për të vendosur për të ardhmen e Grenlandës.” Ai theksoi se angazhimi i Kanadasë ndaj Nenit 5 të NATO-s është “i palëkundur”.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kinës, He Lifeng, paralajmëroi se konfliktet tregtare “nuk kanë fitues dhe vetëm rrisin kostot e prodhimit dhe tregtisë”, duke shtuar se ato “fragmentojnë ekonominë botërore”. Ai theksoi se Kina mbështet një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës dhe shtoi: “Ne ndërtojmë ura, jo mure”, duke nënvizuar se Kina e sheh veten si “partner tregtar, jo rival”.
Ndërkohë, sipas burimeve pranë Parlamentit Evropian, pritet që Parlamenti Evropian të pezullojë miratimin e marrëveshjes tregtare BE–SHBA, të arritur në korrik mes presidentit Trump dhe Ursula von der Leyen. Marrëveshja, e arritur në Skoci, kishte ulur tarifat amerikane për importet nga BE-ja në 15 për qind.
Pas kërcënimeve të reja për tarifa, tregjet financiare kanë reaguar negativisht. Bursat në SHBA dhe Evropë kanë shënuar rënie për ditën e dytë radhazi, ndërsa dollari amerikan është dobësuar ndjeshëm. Euro është rritur në 1.1742 dollarë, ndërsa paundi britanik në 1.346 dollarë.
Në të njëjtën kohë, çmimet e metaleve të çmuara, të konsideruara si strehë e sigurt në kohë pasigurie, kanë arritur nivele rekord.
Kujtojmë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror , dje, ishte pjesë e një paneli diskutimi të mbajtur në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos, me temën “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”.



