Kurti pret në takim një grup krijuesish shqiptarë nga Mali i Zi

25 janar 2026 | 11:08

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me deputeten Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka takuar një grup krijuesish shqiptarë nga Mali i Zi, të përbërë nga Ali Daci, Nikollë Berishaj, Ismet Kallaba, Mark Lucgjonaj, Flutur Mustafa-Pllana dhe Ardita Rexha.

Ata po marrin pjesë në edicionin IV të Festivalit Poetik të Prishtinës (21–25 janar 2026), të organizuar nga ObserverKult.

“Biseduam për bashkëpunimet kulturore dhe për lidhjet që letërsia i mban të gjalla mes hapësirave tona, si dhe për rolin e festivalit në forcimin e komunikimit përmes fjalës artistike, me theks të veçantë në prezantimin e letërsisë shqipe në Malin e Zi brenda programit të festivalit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se poezia shqipe nga Plava e Gucia, Ana e Malit dhe Kraja, Tuzi e Ulqini, është dëshmi e qëndrueshmërisë së gjuhës dhe e dinjitetit kulturor, një mënyrë për ta ruajtur kujtesën dhe për ta shtrirë praninë tonë shpirtërore ndër breza, duke e bërë vargun urë nga një vendbanim te tjetri, nga një kujtim te një e ardhme e përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
54 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit…