Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano deklaron se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë dhe stabile, megjithatë konsideron që ka ende sfida dhe “nxitës të mundshëm për tensione”.
Autoritetet vendore, ai thotë se duhet t’i adresojnë këto dhe të zgjidhen përmes dialogut.
Në intervistën për KosovaPress, Barbano thotë se ani pse nuk ka më mandat ekzekutiv, roli i EULEX-it në rast të tensioneve është i reaguesit të dytë të sigurisë.
Ai flet edhe për manipulimin me vota në zgjedhjet e fundit, sundimin e ligjit dhe nëse po arrin Kosova të luftojë korrupsionin.
Nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka ndryshuar udhëheqësia në komunat veriore. Atje udhëheq Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen nga Beogradi zyrtar. Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano tregon nëse mund të ketë ndikim kjo në situatën e sigurisë në veri.
“Situata e sigurisë në Kosovë në periudhën e fundit mund të konsiderohet e qetë dhe stabile. Ne e shohim pozitivisht kthimin e kryetarëve serbë të Kosovës në detyrë pas zgjedhjeve lokale dhe hapjen e kanaleve të komunikimit mes tyre dhe Policisë së Kosovës. Sigurisht që ka ende sfida dhe nxitës të mundshëm për tensione, por përmes dialogut dhe mbështetjes së institucioneve evropiane, besojmë se ato mund të adresohen në mënyrë paqësore….Ka ende sfida që duhet adresuar, sidomos në integrimin e plotë të komuniteteve pakicë dhe garantimin e të drejtave të tyre brenda sistemit të Kosovës. Kjo kërkon rregullore, marrëveshje dhe diskutime që mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut”, deklaron Barbano.