Si mund të rrezikohet ekzistenca e mëtutjeshme e një partie

25 janar 2026 | 20:22

Shkruan: Blerim Canaj

Mjafton një vështrim i shkurtër mbi historinë politike të Europës për të na rënë në mend që shumë parti të rëndësishme politike, madje edhe aso që kanë bërë historinë, mund të mos jenë të përjetshme. Shembuj konkretë ka mjaft: “Democrazia Cristiana” (DC) në Itali e cila qeverisi për gati 50 vjet, ndërtoi republikën pas Luftës së Dytë Botërore dhe e ankoroi Italinë në BE e NATO u shpërbë jo vetëm për shkak të skandaleve të korrupsionit, por edhe për shkak të përçarjeve të thella të brendshme dhe mungesës së një lidershipi reformues në momentin kritik. Edhe “Partia Liberale e Mbretërisë së Bashkuar (Liberal Party)“ ishte forcë dominuese për më shumë se një shekull. Ajo krijoi shtetin liberal modern dhe bëri reformat sociale. Rënia e saj erdhi gradualisht nga ndarjet e brendshme, paaftësia për të prodhuar lidership të fortë dhe humbja e elektoratit përballë Partisë Laburiste. E “Unión de Centro Democrático (UCD)“ në Spanjë, edhe pse udhëhoqi tranzicionin historik drejt demokracisë dhe hartoi Kushtetutën e vitit 1978, u shkatërrua brenda pak vitesh nga luftërat e brendshme të lidershipit dhe fragmentimi ideologjik. Pastaj u shpërbë edhe “Panhellenic Socialist Movement (PASOK)“ në Greqi e cila në fakt e sundoi politikën për dekada dhe ndërtoi shtetin social. Rënia e saj nuk ishte vetëm pasojë e krizës ekonomike, por edhe e krizës së lidershipit, humbjes së besueshmërisë dhe paaftësisë për të mbijetuar e shkëputur nga elitat e vjetra. E kemi edhe rastin në Francë me “Section Française de l’Internationale Ouvrière (SFIO)“ e cila për më shumë se 60 vjet ishte shtylla e së majtës franceze por u shua pasi u fragmentua nga debatet e brendshme ideologjike dhe gjatë zëvendësimit të lidershipit me një formacion të ri, dështoi të vendosë lidershipin e duhur,.

Ka edhe shumë të tjer si “Občanské Fórum“ e Václav Havelit në Çekosllovaki“ e cila udhëhoqi Revolucionin e Kadifenjtë dhe rrëzimin e komunizmit por që pas fitores historike u shpërbë shpejt për shkak të mungesës së strukturës partiake dhe përçarjeve të brendshme.

E këto nuk janë raste të vetme por ka edhe shumë parti tjera disa nga të cilat nuk ekzistojnë më, ndërsa të tjerat janë reduktuar në role margjinale.

Rënia e tyre nuk erdhi nga mungesa e bërjes së historisë, por nga korrupsioni, shkëputja nga realiteti shoqëror, krizat ekonomike, dhe paaftësia për t’u reformuar në kohë e më së shumti për shkak të vendosjes së lidhershipit të gabuar jo bazuar në meritokraci por vetëm në interes të grupimeve të caktuara brenda partive. Këto parti nuk u rrëzuan për shkak që ato dhe liderët e tyre paraprak në nje kohë nuk kishin ndërtuar dhe bërë historinë  e vendeve të tyre por nga fakti se historia nuk mjafton kur lidershipi dobësohet, përçarjet bëhen normë, e reformat shtyhen. E kur i shohim këto, atëherë na bëhet e qartë që partitë nuk vdesin vetëm nga presioni i jashtëm. Shumë shpesh, ato rrëzohen nga brenda sepse është fakt që historia të jep legjitimitet përkohësisht, por në demokraci e ardhmja duhet të fitohet çdo ditë.

E në momentin kur po flas, nëse vazhdojnë me këtë tempo dhe të mos gjejnë rrugën e humbur dhe lidershipin e duhur, dy parti në Kosovë duken të rrezikuara të kenë fatin e njejtë dhe të mbeten vetëm pjesë e historisë. Në të ardhmen e afërt të mund të bëhen tri!

#KosovaPolitike #PartiteNeKosove #EArdhmjaPolitike #KohaPerReforma #AlarmPolitik #Histori

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se gjatë javës…