Trumpi rrit tarifat amerikane për importet e Koresë së Jugut në 25 %

27 janar 2026 | 08:05

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të rrisë tarifat për importet e Koresë së Jugut në 25%, pasi akuzoi Seulin se “nuk po i përmbahet” një marrëveshjeje tregtare të arritur vitin e kaluar.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se do të rriste taksat ndaj Koresë së Jugut nga 15% për një gamë produktesh, duke përfshirë automobila, lëndë druri, produkte farmaceutike dhe “të gjitha tarifat e tjera reciproke”.

Trump tha se ligjvënësit e Koresë së Jugut kanë qenë të ngadaltë në miratimin e marrëveshjes, ndërsa “ne kemi vepruar shpejt për të ulur tarifat tona në përputhje me transaksionin për të cilin është rënë dakord”.

Koreja e Jugut thotë se nuk i është dhënë njoftim zyrtar për vendimin për të rritur tarifat për disa nga mallrat e saj dhe dëshiron bisedime urgjente me Uashingtonin mbi këtë çështje.

Seuli dhe Uashingtoni arritën një marrëveshje tetorin e kaluar, e cila përfshinte një premtim nga Koreja e Jugut për të investuar 350 miliardë dollarë në SHBA, një pjesë e të cilave do të shkonin për ndërtimin e anijeve.

Muajin pasardhës, të dy vendet ranë dakord që SHBA-të do të ulnin tarifat për disa produkte sapo Koreja e Jugut të fillonte procesin për të miratuar marrëveshjen.

Marrëveshja iu dorëzua Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut më 26 nëntor dhe aktualisht është duke u shqyrtuar. Sipas mediave lokale, ka të ngjarë të miratohet në shkurt.

Tarifat paguhen nga kompanitë që importojnë produkte. Në këtë rast, firmat amerikane do të paguajnë një taksë prej 25% për mallrat që blejnë nga Koreja e Jugut.

Sakaq, Trump të shtunën kërcënoi Kanadanë me një tarifë 100% nëse ajo arrinte një marrëveshje tregtare me Kinën.

Përpara kësaj,  ai tha se do të vendoste taksa importi për tetë vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar,  të cilat kundërshtuan planet e SHBA-së për të pushtuar Groenlandën, një territor autonom në Mbretërinë e Danimarkës, e cila është anëtare e NATO-s.

Më vonë ai u tërhoq nga kërcënimi me tarifa për Groenlandën duke përmendur përparimin drejt një “marrëveshjeje të ardhshme” mbi ishullin, por episodi tensionoi marrëdhëniet e SHBA-së me Danimarkën dhe aleatët e tjerë të NATO-s.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Strukturat drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA) janë…