Rrëshqitje dheu në Indonezi, 23 ushtarë humbin jetën
23 ushtarë të marinës indoneziane kanë humbur jetën pasi u zunë nga rrëshqitjet e dheut në provincën Java Perëndimore, kanë konfirmuar autoritetet të martën.
Ngjarja ndodhi në fshatin Pasir Langu, në rajonin Bandung Barat, pas reshjeve të dendura të shiut që nisën një ditë më herët, raporton Reuters.
Ushtarët ishin duke zhvilluar stërvitje ushtarake kur u goditën nga rrëshqitja e dheut, sipas zëdhënësit të marinës, admiralit Tunggul.
Autoritetet e menaxhimit të fatkeqësive njoftuan se numri i përgjithshëm i viktimave nga rrëshqitjet është rritur në të paktën 20 civilë, ndërsa 42 persona rezultojnë ende të zhdukur, megjithëse nuk është e qartë nëse ushtarët përfshihen në këtë bilanc.
Në operacionet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar rreth 800 efektivë, përfshirë ushtrinë, policinë dhe ekipet e emergjencës, si dhe mjete të rënda gërmimi. Rreth 685 banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.
Rrëshqitja e dheut ndodhi gjatë kulmit të sezonit të shirave në ishullin Java, në një periudhë kur disa rajone të Indonezisë janë goditur nga përmbytje dhe fatkeqësi natyrore të përsëritura.



