Luis Nani rikthehet nga pensionimi, nënshkruan në Kazakistan
Ish-reprezentuesi i kombëtares portugeze Luis Nani i është bashkuar FC Aktobe në Kazakistan me një kontratë njëvjeçare, pas pensionimimit nga futbolli kur u largua nga Estrela në dhjetor 2024.
Në moshën 39-vjeçare, Nani ka bërë këtë lëvizje duke menduar edhe për të ardhmen e tij, pasi marrëveshja përfshin një rol të zgjeruar në projektin e zhvillimit të klubit. Aktobe do të jetë klubi i 12-të në karrierën e tij.
Në një deklaratë, anësori foli për këtë sfidë të re.
“Jam shumë i emocionuar për këtë projekt të ri dhe për mundësinë për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit te Aktobe dhe në Kazakistan. FC Aktobe ofron kushte të shkëlqyera dhe jam pritur shumë ngrohtësisht. Ndjej se së bashku mund të punojmë për ta ngritur klubin jo vetëm në arenën vendore, por edhe ndërkombëtare”.
Aktobe është pesë herë kampion i Ligës së Kazakistanit dhe po synon pjesëmarrjen e parë në një kompeticion të UEFA-s.
Që nga ndeshja e tij e fundit me Estrela në vitin 2024, Nani ka përfunduar kursin UEFA A Elite Youth Licence, një nga kualifikimet më të larta për trajnerë në Evropë.



