Haxhiu kërkon që të hetohet kreu i KQZ-së dhe çdo individ që ka shkelë ligjin

27 janar 2026 | 14:14

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që të rikthehet menjëherë rinumërimin sipas rendit të komunave, transparencë e plotë dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se prokuroria duhet të nisë hetimet për të gjithë vendimet dhe veprimet që kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke filluar nga kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“KQZ-ja nga garantuese e votës në instrument të manipulimit të procesit zgjedhor. Fillimisht, KQZ-ja morri vendime në kundërshtim me Ligjin për zgjedhjet, tani KQZ ka ndryshuar metodologjinë e rinumërimit në mes të procesit, duke braktisur rendin sipas komunave dhe vendvotimeve dhe duke e zëvendësuar me një proces kaotik, të fragmentuar. Ky ndryshim arbitrar ka prodhuar devijim të qartë të trendit të rezultateve dhe ka dëmtuar rëndë besimin kandidatëve dhe qytetarëve. Kur rinumërimi ndërpritet pa kriter, vazhdohet me komuna të tjera dhe humbet gjurmueshmëria e vendvotimeve, procesi bëhet i pabesueshëm. KQZ-ja, në vend që të mbrojë integritetin e votës, po ndryshon rregullat gjatë rinumërimit, duke u shndërruar nga arbitër i paanshëm në palë aktive në deformimin e procesit zgjedhor. Kërkojë rikthim të menjëhershëm të rinumërimit sipas rendit të komunave, transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.

Ai ka thënë se çdo votë e cenuar është goditje ndaj demokracisë.

“Çdo votë e cenuar është një goditje ndaj demokracisë. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për të gjitha vendimet dhe veprimet që kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke filluar nga kreu i KQZ-së e deri te çdo individ që ka pasur guximin të shkelë ligjin, të deformojë procesin zgjedhor dhe të manipulojë vullnetin e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi ka refuzuar largimin nga futbolli italian, skuadra e Genoas…