Albert Bucolli i del hapur në mbështetje Agron Zenelit, pronarit të “AZ Building”

27 janar 2026 | 22:04

Afaristi Albert Bucolli nga Drenasi, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, i ka dalë në mbështetje pronarit të “AZ Building”, Agron Zenelit, të cilit sot Komuna e Mitrovicës, respektivisht Drejtoria e Inspektoratit, me urdhër të kryetarit Faton Peci, ia kanë ndaluar punimet në ndërtimin e kompleksit banesor pranë Liqenit Akumulues në Mitrovicë.

Ish-luftëtari i UÇK-së, Albert Bucolli, ka hedhur dyshime rreth këtij vendimi. “Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se Agron Zeneli po sulmohet nga udhëheqja e re e komunës për shkak se mbështet familjet e dëshmorëve, duke i punësuar ata në kompaninë e tij, si dhe për shkak të mbështetjes së hapur ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Kjo qasje është e papranueshme dhe dëmton rëndë klimën e investimeve në Kosovë”, ka shkruar Bucolli.

Reagimi i plotë i Bucollit:

Komuna e Mitrovicës, në krye me kryetarin Faton Peci, ka ndërprerë punimet e kompleksit banesor “AZ Building”, në rrugën “Liqeni”, pranë Liqenit Akumulues në Mitrovicë.

Kompleksi “AZ Building”, me pronar afaristin mitrovicas Agron Zeneli, i cili jeton dhe vepron në Shtutgart të Gjermanisë, ka qenë i pajisur me leje ndërtimore dhe ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret e përcaktuara nga Komuna e Mitrovicës dhe institucionet përkatëse.

Z. Zeneli drejton një biznes të suksesshëm në Gjermani, me mbi 250 punëtorë dhe qarkullim të lartë financiar, dhe ka vendosur që fitimin e tij ta rikthejë në investime në Kosovë. Fatkeqësisht, ky investim po përballet me pengesa të pajustifikuara institucionale.

Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se Agron Zeneli po sulmohet nga udhëheqja e re e komunës për shkak se mbështet familjet e dëshmorëve, duke i punësuar ata në kompaninë e tij, si dhe për shkak të mbështetjes së hapur ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Kjo qasje është e papranueshme dhe dëmton rëndë klimën e investimeve në Kosovë.

Ne, ish-luftëtarë dhe afaristë që jetojmë dhe veprojmë jashtë vendit, duket se nuk jemi të mirëpritur për të investuar në Kosovë, as nga niveli qendror e as nga ai lokal i koalicionit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, me në krye Albin Kurtin dhe Faton Pecin.

Unë, Albert Bucolli, ish-luftëtar i UÇK-së dhe afarist që jetoj dhe veproj në Gjermani, shpreh mbështetjen time të plotë për Agron Zenelin dhe për çdo investitor që dëshiron të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Agron, mos u dorëzo. Ndiq rrugët ligjore dhe dije se bashkëvendësit e tu janë me ty.

Me respekt,

Albert Bucolli

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një plan i klasifikuar amerikan i vitit 1930, i njohur…