Refuzohet padia e KOSTT-it ndaj ZRRE-së, vërtetohet vendimi i Komerciales

30 janar 2026 | 13:14

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, ka marrë aktgjykim në konfliktin administrativ sipas padisë së paditësit Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), kundër të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), lidhur me anulimin e një akti administrativ.

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paraqitur nga KOSTT Sh.A., kundër aktgjykimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Dytë, K.DH.SH.II.nr.913/24, të datës 08.11.2024.

Gjykata Supreme vlerësoi se aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta janë marrë në përputhje me dispozitat ligjore. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, arsyetimet e dhëna nga Gjykata Komerciale e Kosovës janë të plota, të qarta dhe të bazuara në analizë të drejtë të fakteve dhe të legjislacionit të zbatueshëm.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka konstatuar se ZRRE ka ushtruar kompetencat e saj ligjore dhe rregullative në mënyrë të ligjshme, duke zhvilluar një proces të plotë monitorimi ndaj KOSTT Sh.A., në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullat e Tregut, Kodin e Balancit dhe aktet tjera nënligjore përkatëse.

Gjykata nga provat e administruara në këtë çështje ka konstatuar se ZRRE, në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë ka ushtruar përgjegjësitë e saj për monitorimin e operimit të tregjeve të energjisë elektrike në mënyrë që të sigurojë funksionimin efikas të këtyre tregjeve, si dhe të identifikojë veprimet korrigjuese që mund të jenë të nevojshme, ka kryer hetime lidhur me shkeljet eventuale të kryera nga Operatori i Sistemit të Transmetimit për KOSTT.

“Gjykata vlerëson se me rastin e shqiptimit të gjobës së ZRRE-së ndaj KOSTT, në vlerë prej 439,405.00 euro (katërqind e tridhjetenëntëmijë e katërqindepesë Euro) për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara për blerjet e energjisë elektrike, pagesat dhe nominimet, janë zbatuar drejtë dispozitat ligjore procedurale dhe materiale, andaj gjykata refuzoi në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit”, njofton Supremja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Nyon të Zvicrës është tërhequr shorti për garat e…