Vendoset pllaka përkujtimore për viktimat e “Natës së Tmerrit”
Sot, u bë zbulimi i pllakës përkujtimore në urën e re mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me rastin e shënimit të Natës së Tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit 2000, në nderim dhe kujtim të 10 shqiptarëve të vrarë, të plagosur 25 të tjerë dhe rreth 12,000 banorë që u detyruan të lëshojnë shtëpitë e tyre në veri.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë kryetari i Komunës, Faton Peci, nënkryetari, Enis Osmani, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuesi i Kuvendit, Safet Kamberi, drejtorë të drejtorive komunale, familjarë dhe qytetarë tjerë.
Me këtë rast, kryetari Faton Peci theksoi se vendosja e pllakës përkujtimore ka për qëllim që sakrifica dhe gjaku i derdhur i qytetarëve shqiptarë të mos harrohet kurrë.
Ai nënvizoi se mesazhi që përcillet është se për lirinë e Kosovës është dhënë gjak edhe pas çlirimit të saj, duke shtuar se viktimat ishin civilë të pafajshëm, të pambrojtur, të vrarë vetëm pse ishin shqiptarë dhe pse ishin rikthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre.
“Pllaka përkujtimore, e vendosur në urën e re për këmbësorë, shërben si kujtesë e përhershme për brezat e ardhshëm mbi çmimin e lirisë dhe nevojën që krimet e kryera të mos harrohen kurrë”, është shprehur ndër të tjerash kryetari Peci.



