Adem Gashi, kreshniku i fjalës dhe këngës
Berat Armagedoni
(parathënie e vëllimit të parë)
Ishte ditë e kobshme, e rëndë, pikëlluese, përvëluese, e marta e 16 janarit të vitit 2024. Lajmi për vdekjen e Adem Gashit nga i biri i tij, Dardani, herët në mëngjes, vetëm një ditë pas vizitës që me mikun e tij të hershëm e të përditshëm, Emin Z. Eminin, i bëmë në Kirurgjinë e Qendrës Klinike Universitare, na mërziti shumë dhe na lëndoi shumë. Po kaq rëndesë në trup dhe shpirt pata po atë ditë që u nisa për Nekoc, kur në vendlindjen e tij, mbi arkëmortin e tij, hodha një grusht dhé dhe i shpreha fjalën lamtumirë njeriut të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë, me të cilin hidhërimet dhe gëzimet i shprehnim çdo ditë herë në kafenenë Edi 2, herë në Amaro në Prishtinë. Me një si ai s’kam mundur t’i shpreh më që dy vjet e disa ditë. Për ta kthyer pikëllimin në krenari dhe pasi m’u kujtua shprehja se vaji i burrit është kënga, atë ditë dhe atë natë dëgjoja muzikë me tekste të këngëve të tij të kënduara kryesisht nga Ilir Shaqiri. Sërish vjen marsi, teksti i Ademit në gojën e Ilirit, nuk më jepte asnjë lloj shprese se Ademi do të kthehet sërish në kafenetë e zakonshme. Ky tekst kënge, edhe dhjetëra sosh për të bëmat e të bërat e burrave të kombit shqiptar, ma lehtësoi dhimbjen për kreshnikun e letërsisë shqipe, për Adem Gashin, për të cilin, disa ditë më pas, me vaj në buzë, para familjarëve të tij e qindra shokëve dhe miqve të tij, u paraqita në mbledhjen përkujtimore për të në Institutin Albanologjik dhe lexova tekstin e mëposhtëm, me titull Adem kreshniku.
Adem Gashit i pati rënë hise të vinte në këtë botë, në Drenicë, në vitin 1953. Sapo lindi trashëgoi emrin e Ademit të parë, të vëllait, të vrarë nga rrufeja. Pak muaj pasi i bëri shtatëdhjetë vjet, Ademi i dytë, pa bërë kurrë ankesë shëndetësore, pa bërë kurrë lëngata, u nis shtegut diellor të të lavdishmëve si rrufeja. La bujë të madhe pas vetes. La vepra letrare, la mirësi, la edukim, la tekste të këngëve. La edhe punë të pabëra. Edhe sa ishte mes nesh, edhe sot që s’është, edhe na ka mësuar për shumë gjëra, edhe vazhdon të na mësojë. Kur, në orë përkujtimore dhe në përurime librash bashkë merrnim pjesë, mua dhe miqve të vet na thoshte: shkruani më së shumti dy faqe. E treta bëhet monotone bre! Para publikut dilni me faqe të bardhë me shkronja të zeza, se llafe mund të bëjmë ditë e natë në kafe. Modestinë e njerëzve e çmonte, vlerat e veprave të tyre i argumentonte privatisht dhe publikisht. As polemikave nuk u përtonte. I mprehtë dhe i rreptë, fort. Reagimet, për çfarëdo dukurish të këqija, nëse s’i bënte i pari, nuk i bënte i fundit. Rebel edhe pas pensionimit. I respektuar dhe i nderuar edhe pas vdekjes. Kreshnik, gjallë dhe pas vdekjes, jo për tiparet fizike, por për tiparet morale dhe atdhetare.
Adem Gashi, para se të shkruante për veprat që kishte lexuar ndër vite dhe për dorëshkrimet e shumë autorëve, ka filluar të shkruajë dhe të botojë poezi në shtypin javor. Nxitur për t’u bërë poet e ka mësuesi i tij i fillores, Habib Çelaj, ndjesë pastë!, të cilit Ademi atëkohë, sa ishte nxënës i tij, ia lexonte poezitë dhe përpiqej ta imitonte mësuesin e vet sa ishte nxënës i tij. Por, pas shumë viteve karrierë letrare, Ademi i redaktonte librat me poezi të mësuesit të vet. E para se t’ia sillte ai (mësuesi) librat për redaktim, Adem Gashi qe bërë emër i njohur në Prishtinë, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren, në gjithë Kosovën, edhe në disa qytete dhe shtete të ndryshme të Evropës në të cilat organizoheshin takime letrare e në të cilat, nëse nuk ftohej Ademi ose nuk kishte mundësi të shkonte, lexoheshin krijime artistike të tij edhe të përkthyera.
Shtegtimin poetik, me libër të botuar, Adem Gashi e pati nisur në vitin 1982, me titullin “Pa ombrellë”. S’i duhej mbrojtja as nga shiu, as nga bora, as nga era, as nga zjarri, as nga kritikët. Nga askush. Tri vjet pas ’82-s filloi ta punojë autoportretin, kurse pesë vjet më vonë realitetin objektiv. Derisa i shkruante vargjet e këtyre dy librave, shkruante edhe në përmbledhjen me tregime “Vdekja e mixhës”. Ëndrrat e liga, në kohë të vështira, i vinin e i shkonin. Ëndrrat, fatkeqësisht, kishte raste që i bëheshin realitet. Në luftë iu dogjën mbi pesë mijë libra dhe disa dorëshkrime. Pas luftës, duke i kujtuar dorëshkrimet e veta, e botoi librin me poezi “Dorëshkrim i djegur”, i cili titull, për shumë poetë të Kosovës, u bë lajtmotiv në shumë poezi të tyre. Me duar në makinë të shkrimit shkroi edhe për lulet e vetmuara. Edhe pse brenda shpirtit dhe mendjes së vet kishte gjurmë të luftës, brenda familjes së gruas edhe viktima, e ndiente se duhej të shkruante edhe për dashurinë. E nisi triptikun për Ledin dhe e bitisi me shumë sakrifica dhe net pa gjumë. Ndërkohë, veprimtarisë së vet letrare ia shtoi 20 vepra me poezi, katra me tregime, dy romane, dy me eseistikë. Veprat dhe poezitë i pajisi me mbi 50 mirënjohje, çmime dhe certifikata, kurse karrierën letrare me çmimin për vepër jetësore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në vitin 2022.
U patëm marrë vesh, sa ishte gjallë dhe pasi e mori këtë çmim nga MKRS, që libër të ri më nuk do të botoj derisa t’ia botoj kompletin e veprës në tetë vëllime. E priste edhe këtë botim. Po përkrah tij priste një botim të veçantë, për të cilin, në javët e fundit, më shumë kemi biseduar për të sesa për çdo temë tjetër në restorantin “Edi 2” këtu në Prishtinë. Priste botimin e përmbledhjes së teksteve të këngëve “Sërish vjen marsi” të cilat i ka shkruar për heronj, për dëshmorë, për veprimtarë shqiptarë. Kam qenë i pranishëm me të disa herë kur merrte porosi për tekste të këngëve. Në një letër të vogël, shpeshherë në kupon fiskal, me laps i shkruante të dhënat e subjektit të këngës për të cilin i rrëfenin qoftë familjarët e tij, qoftë miqtë e tij. I mjaftonin emri, mbiemri, tiparet fizike të tij, të bëmat e tij me dy-tri fjalë. Ashtu si poezitë, edhe tekstet e këngëve i shkruante në orët e vona të natës ose në orët e para të mëngjesit. Nuk shkruante kur nuk i vinte frymëzimi. E provonte, nuk i shkonte, e linte. Po e pres dakikun, – thoshte. E provonte pas një a dy netësh. Veç një vjegëz, një fill i duhej, që një vepër atdhetare të një heroi në fushëbetejë, ta bënte kryevepër në tekst. E kryevepra të tilla, që do të përmenden e të këndohen gjithmonë, ka shkruar rreth 200. Nami dhe nishani i tij, përpos në letërsi, do të jenë të përgjithmonshëm edhe në muzikë përkrah Ilir Shaqirit.
Kaq më thoshte Adem Gashi edhe mua shkruaj, se më tepër bëhet monotone për publikun.
Këtë herë po bëj një përjashtim meqë dua t’i zë ngoje edhe disa copa të biografisë së tij.
Shkollimin fillor e nisi në Nekoc, e përfundoi në Komoran. Shkollën Normale e kreu në Prishtinë. Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ndërpreu për shkak të burgosjes. Pak vite punoi mësues, trembëdhjetë vjet në Radiotelevizionin e Prishtinës. Disa vjet edhe drejtor i tij. Pas luftës u emërua nënkryetar, pastaj kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me bursë nga fondacioni gjerman “Heinrich Böll-Stiftung” ka ndenjur dhe shkruar në shtëpinë e nobelistit Bëll në Gjermani (Langenbroich) një libër eseistikë. Për shkak të këshillave në interes të kulturës, më 2002 emërohet këshilltar i lartë politik i një ish-ministri të Kulturës. Me idenë dhe kërkesën e tij, MKRS-ja nis shpalljen e konkursit për botim të librave i cili vazhdon edhe sot. Pasi ndërpret punën në MKRS, emërohet drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, në të cilën pensionohet.
Adem Gashi, ai burrë i pjekur që iku nga ne pa na përshëndetur, u ka ndihmuar shumë krijuesve të rinj. Kudo që ka gjetur një vepër të mirë ua ka përmendur njëqind të tjerëve. Kudo që ka lexuar një poezi të mirë ia ka përmendur sekujt. Pos të rinjve, si asnjë krijues tjetër bashkëkohanik me të, ka shkruar recensione për veprat e kolegëve të vet. Nuk ka pasur inat ndaj askujt që krijonte vlera letrare. Mërzi e ka pasur të pavlerën. Nëse s’e ka grisur, e ka lënë mënjanë. Për shkak, mbase të nivelit më të lartë artistik që e kishte vetë e që s’e kishin bashkëmoshatarët e tij, ata nuk bënin kritika anasjelltas për veprat e tij. Disa prej tyre shpirtngushtësinë e shpërfaqnin me heshtje. Por, për veprat dhe krijimtarinë e Adem Gashit nuk kanë heshtur dhjetëra studiues dhe shkrimtarë të moshave të ndryshme, disa prej të cilëve Ademi u ka redaktuar libra. Dhe Ai që iku e ne u mblodhëm për ta përkujtuar sot, ka redaktuar qindra libra. Ka qenë “argat” në të mbjellat e të korrat e sukseseve të shumë krijuesve. Ka derdhur djersë në shumë “ara” letrare dhe shkencore të krijuesve dhe të studiuesve. Kurrë mos u harroftë as ky mund i tij! Kaq. Lavdi!
Tetë vëllimet e Adem Gashit
Një vit para se të ndërronte jetë e një javë pasi MKRS hapi konkursin për botim të veprave, më solli në kafenenë e preferuar Edi 2 nga një ekzemplar të librave që kishte botuar ndër vite, që prej librit të parë Pa ombrellë deri tek i fundit Edhe mund ta mendoja një tjetër titull. Sapo u ulëm më tha: Këtë vit nuk kam ndër mend të botoj libër të ri. Ndoshta nuk do të botoj më asnjë. Po i vë kapakun krijimtarisë sime me kompletin e veprës prandaj, nëse pajtohesh, apliko në MKRS për botimin e kompletit të veprës sime. Unë mezi s’prisja t’i bëja bashkë të gjitha veprat e tij. Kishte bërë edhe një propozim për ndarjen e vëllimeve, të cilin e kishte shtypur në disa fleta. Në vëllimin e parë kishte renditur këto vepra: Hijet e diellit (roman), titulli i botimit të parë A-Zh: vetëtimat e nëntorit dhe Dita tjetër e jetës : (rrëfim i motivuar nga profili prej luftëtari i Jetullah Gashit) (roman). Në vëllimin e dytë kishte futur dy veprat me tregime, Vdekja e mixhës dhe Pëllumbi i paqes. Në të tretin, dy veprat e tjera me tregime Udhëtimi i fundit dhe Lakorja e fatit. Në të katërtin, dy librat me eseistikë, Nostalgjia e letrës dhe Portali i fshehtë i jetës : (shënime nga shtëpia e Heinrich Böll-it). Në të pestin gjashtë vepra poetike: Pa ombrellë, Duke punuar autoportretin, Realiteti objektiv, Ëndrra të liga, Dorëshkrim i djegur, Lulet e vetmuara. Në të gjashtin tri vepra të tjera me poezi: Lady Mak(th)beth, Kthimi i pamundur, Lady, Labirintet e makthit (lady 3). Në të shtatin, pesë vepra të tjera po me poezi: S’i duhet kujt gjaku im, Shi dhe zog i vetmuar, Ditët pa gjë, Vizatimi i vetmisë në letrën e bardhë, Drenushë e trembur dimrash. Në të tetin dhe të fundit, pesë vepra të tjera me poezi: E shkrueme për kryeshpendin, Ndeza një qiri, Antologji e zezë, Është vonë diçka të ndreq, Edhe mund ta mendoja një tjetër titull. I kishte llogaritur edhe faqet për secilin vëllim. Dorëshkrimin e librit me poezi, me titull Lirikat e shportës, nuk e kishte futur në asnjërin vëllim, as përmbledhjen me tekste të këngëve Sërish vjen marsi, të cilën, siç kam shkruar më lart, donte ta botonte ndaras nga këto vëllime. Por djali i tij, Dardani, i mblodhi nga shporta e kompjuterit të të atit Lirikat e shportës dhe m’i dërgoi t’i bashkëngjis në vëllimin e tetë. Pasi bashkërisht me Ademin bëmë propozimin për MKRS dhe nënshkruam, ai në anën e majtë, unë në të djathtën, autorizimin për botim, aplikova në MKRS për mbështetje financiare të botimit të kompletit të veprës së tij. Edhe pas aplikimit për subvencionim të botimit takoheshim çdo ditë në Edi 2, po jo çdo ditë pritnim një lajm të gëzueshëm prej MKRS-së. Një ditë prej ditësh, pas disa muajsh pritje të shqyrtimit të kërkesave të botuesve për botim të librit nga MKRS, një anëtare e Këshillit të Librit e MKRS-së na dha lajmin në Edi 2: Propozimi për botim të veprës, Adem, nuk kaloi. Ishte vendim i të gjithë anëtarëve të Këshillit, të përkrahen për botim vetëm veprat e autorëve që kanë ndërruar jetë. Lajmit të saj Ademi iu përgjigj me shaka: Një ditë do ta plotësoj edhe këtë kriter, por mos më harroni atëherë. U bë si u bë, u shkrua si u shkrua, Ademi këtë “kriter” e plotësoi pas disa muajsh, vetëm disa ditë para se MKRS ta hapte konkursin për subvencionim të botimit të veprave. Meqë kishim bërë mund bashkë, për t’i bërë veprat e tij bashkë, disa ditë pas vdekjes së Ademit, mora nga i biri i tij, Dardani, autorizimin për aplikim në MKRS. Dhe meqë atë “kriterin” e pashkruar autori e plotësoi, Këshilli i Librit miratoi kërkesën e N. Sh. Armagedoni për botimin e kompletit të veprës së tij prej tetë vëllimesh, me një shumë simbolike, por e mjaftueshme për ta përgatitur dhe nxjerrë nga botimi.
Një grusht dhé dhe pak fjalë pas vdekjes
Vlerësime për krijimtarinë e Adem Gashit kanë shprehur e shkruar dhjetëra studiues dhe kritikë. Për veprat e tij edhe studentët e letërsisë dhe të gjuhës kanë bërë punime seminari dhe diplome. Çdo fjalë të mirë e priste mirë. I gëzohej vlerësimit dhe gjykimit të akëcilit. Sigurisht do të ndihej mirë edhe nga këto vlerësime që, personalitete të shtetit, studiues dhe shkrimtarë, i shprehën edhe në Librin e ngushëllimeve, edhe në rrjete sociale, disa prej të cilave i përzgjodhëm për botim në këtë parathënie:
Ai dëshmoi përkushtim për fjalën e shkruar, ndaj la gjurmë dhe trashëgimi të pashlyeshme në fushën e krijimtarisë letrare, duke bërë që disa nga tekstet e tij të shndërrohen në këngë ikonike / Vjosa Osmani
Vepra e tij për ne dhe kujtimet tona për të janë gjurmë të thella që bëjnë dritë. Mendja e mprehtë, puna e zellshme, atdhedashuria e paepur dhe mirëqenia e përhershme e shkrimtarit Adem Gashi, janë kontribute fort të çmueshme për kombin dhe shoqërinë tonë / Albin Kurti
Me ndarjen e tij nga jeta, jo vetëm letërsia shqipe, por e gjithë bota letrare ka humbur një prej figurave ëmblematike dhe frymëzuese. Shkrimtarin Adem Gashi do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri modest, atdhedashës e punëtor të zellshëm / Hajrullah Çeku
Adem Gashi ishte pa dyshim një nga poetët më të talentuar të Kosovës. Shumë i frytshëm si poet, ai e zotëronte për mrekulli mjeshtërinë e vargut. Ishte njohës i mirë i gjuhës, ai shkëlqen edhe kur shkruan në standard, edhe kur shkruan në idiomë. Opusi i tij krijues është ndër më të rëndësishmit në poezinë e sotme shqipe / Agim Vinca
Adem Gashi është figurë poliedrike, në epiqendrën e së cilës ndodhet shkrimtari i dyzuar: poeti dhe prozatori. Poeti është liriku i rrallë me emocion të emancipuar dhe gdhendësi i pashoq i fjalës, ndërsa prozatori është romancieri dhe tregimtari i poetikës moderniste, i cili me kryeneqësi i bën konkurrencë poetit, sepse shquhet për intonimin filozofik dhe koherencën konceptuale të mendimit të kondensuar estetik / Emin Z. Emini
Ai ishte një poet i cili që nga hapat e parë ka treguar se ka një afinitet të madh ndaj letërsisë. Kjo është dëshmuar edhe në vitet e ardhshme kur ka qenë shumë aktiv dhe ka lënë mbresa. Si poet do të jetë një nga poetet që nuk do të shuhet lehtë, jo vetëm si poet, sepse ai ishte një njeri që kishte një elokuencë, ishte i përgatitur, i gatshëm të flasë për letërsinë dhe të shoqërohet nga letrarët / Ibrahim Kadriu
Poet si Adem Gashi rrallë vijnë në letërsinë shqipe, prandaj na lënë shumë të pikëlluar kur ikin. Siç e thotë në një poezi për ‘dekën’, poeti e paska fituar ‘lirinë e fluturimit të shpirtit’. Vargjet, kultura dhe mirësia e tij gjithmonë më kanë impresionuar / Ag Apolloni
Shprehjen artistike të Gashit e shquante lirizmi, i cili rrjedh nga paradokset e jetës individuale e shoqërore, duke vijuar me veprat e mëvonshme, ku dominon sinkretizimi i formave të shprehjes artistike / Fjalori Enciklopedik i Kosovës, zëri i punuar nga Nysret Krasniqi





