Ka nisur vaksinimi dhe kontrolli pranveror i bagëtive në Rahovec
Drejtoria e Bujqësisë në Rahovec ka njoftuar se ka filluar procesi i vaksinimit dhe kontrollit të rregullt të bagëtive në territorin e komunës, në kuadër të përgatitjeve për sezonin pranveror.
Sipas njoftimit, veterinari i angazhuar ka nisur fillimisht vaksinimin e rreth 2,500 krerëve bagëti të trasha me vaksinën Cubolac. Pas përfundimit të këtij procesi, do të vazhdohet edhe me vaksinimin e bagëtive të imta.
Nga Drejtoria e Bujqësisë bëhet e ditur se kjo vaksinë shërben për parandalimin e sëmundjeve klostridiale, të cilat konsiderohen ndër më të rrezikshmet për bagëtinë dhe shpesh shkaktojnë ngordhje të papritura, veçanërisht te qengjat dhe viçat.
Në mesin e sëmundjeve që parandalohen me këtë vaksinim përfshihen enterotoksemia, tetanosi, gangrena gazore dhe hemoglobinuria bacilare.
Autoritetet komunale kanë apeluar te të gjithë fermerët që të bashkëpunojnë me shërbimet veterinare, me qëllim të mbarëvajtjes së këtij procesi, i cili vlerësohet si tejet i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit të bagëtive dhe përgatitjen e tyre për sezonin e prodhimit.



