“Manipulimi i votave”: U shkarkuan vetëm anëtarët politik të KKZ-së në Prizren, KQZ heshti për komunat tjera

07 shkurt 2026 | 16:31

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e filloi me shumë pompozitet “luftën” kundër manipulimit me votat e kandidatëve për deputetë. Pas lajmeve për manipulim të votave, u shkarkuar përfaqësuesit politik në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren.

Por, që nga 19 janari KQZ-ja asnjë hap tjetër s’e ka bërë ky institucion.

Përveç Prizrenit, ku janë ndaluar dhjetëra komisionerë që numëruan votat, Prokuroria e Shtetit në rajone të ndryshme ka qenë shumë aktive, por kjo s’ka ngjallur asnjë veprim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo masë të barasvlefshme.

Sipas njoftimeve zyrtare të organeve të drejtësisë, në disa komuna janë identifikuar dyshime serioze për manipulim të votave të kandidatëve, ndërhyrje në numërim, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe koordinim mes komisionerëve për të ndikuar rezultatin zgjedhor. Në disa raste, këto dyshime kanë qenë mjaft të forta sa për të çuar në arrestime dhe masa procedurale konkrete.

Megjithatë, përkundër këtij realiteti, reagimi i KQZ-së ka qenë i kufizuar dhe i pabarabartë.

Shkarkimi i KKZ-së në Prizren, që u mor ditën kur u vendos të rinumëroheshin të gjitha vendvotimet, u prezantua si vendim i nevojshëm për ruajtjen e besimit publik në procesin zgjedhor.

Ndonëse në komunat tjera niveli i manipulimit është më pak i shprehur, megjithëkëtë, kjo është evidente, sikundër edhe mungesa e diskutimeve nga ana e KQZ-së për situatën.

Në fakt, pas vendimit për Prizrenin, takimet e KQZ-së kanë qenë të rralla. Vetëm një mbledhje tjetër është mbajtur në datën 31 janar për shpallje të rezultateve.

Asnjë diskutim tjetër s’është bërë për degradimin e procesit zgjedhor dhe as s’është dhënë ndonjë shpjegim se pse Prizreni u trajtua ndryshe nga komunat tjera ku kandidatëve të ndryshëm u janë hequr me qindra e mijëra vota pas rinumërimit.

Ndonëse komisionet komunale zgjedhore janë jofunksionale pas përfundimit të numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit dhe pas disa ditësh u përfundon mandati, KQZ nuk ka trajtuar me seriozitetin e njëjtë këtë problem të madh të integritetit të zgjedhjeve.

Ditë më herët, Gazeta Nacionale ka raportuar se pavarësisht se KQZ është përgjegjëse për zbatimin e ligjit, ky institucion ka arritur që medialisht ta shkarkojë të gjithë përgjegjësinë për keqmenxhimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën Komunale të Numërimit tek një grup i vogël personash në komunën e Prizrenit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vizita e Milorad Dodik në Shtëpinë e Bardhë dhe rreziku…