Gazetari nga Beogradi: Radoiçiq bëhet miliarder në Serbi, por e humb pushtetin në Veriun e Mitrovicës
Aleanca më e madhe ushtarake, NATO sërish ka kërkuar dorëzimin e kryeterroristit, Millan Radojiçiq.
Ditë më parë, sekretari i NATO-s, Mark Rutte, bëri thirrje që Radojiciq dhe grupi i tij, të dalin para drejtësisë dhe se për këtë, që nga sulmi në Banjskë të Zvecanit më 24-shtator, Rutte i kërkon presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, përgjegjësi.
Gazetari nga Beogradi, Slobodan Georgiev, thotë për Tëvë1 se Millan Radojiciq po vazhdon ndërtimet e hoteleve përreth Kapaonikut.
Sipas tij, nuk do të ketë dorëzim të tij nga ana e presidentit Vuçiq.
“Kur ka ndodhur kjo, dhe ka ardhur kërcënimi nga SHBA-të kur Blinkeni ka thirrur Vuçiçin, kanë reaguar sikur e sollën në gjykatë, e dëgjuan, e ai erdhi (Radojçiçi) erdhi me krejt ekipin e tij, me automobila e krejt, dhe kaq.
Asgjë nuk ndodh në këtë drejtim, nuk ka asnjë proces ndaj, e Millan Radojçiç, sa e di unë, viteve të fundit ka përfunduar disa hotele nëpër rajonin e Kopaonikut. Nga këtu duket se nuk ka më pushtet nëpër veriun e Kosovës, dhe është përqendruar në punët në Serbinë qendrore. E kanë firmën e madhe në Novi Pazar, “Novi Pazar Put,” punojnë shumë, dhe ai me Zvonko Veselinoviçin janë bërë miliarderë. Kjo është situata”, thotë ai.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti sërish i ka kërkuar faktorit ndërkombëtar, dorëzimin e Millan Radojiciq tek institucionet e Drejtësisë në Kosovë.



