Almir Kryeziu, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës në futboll
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e 19-të ky çmim i është ndarë për herë të dytë në këtë edicion futbollistit të FC Ballkanit, Almir Kryeziu, i cili ka pasur një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 88 minutave sa ishte në fushë, duke shënuar një gol dhe duke asistuar në golin e dytë, për të siguruar kësisoj fitoren për skuadrën e tij kundër Gjilanit, me rezultatin 1:2.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pasi ka marrë çmim, Kryeziu është shprehur i lumtur që është vlerësuar si lojtari më i mirë i javës.
“Kemi pasur një fazë përgatitore shumë të mirë dhe kemi pasur kohë të mjaftueshme për ta analizuar Gjilanin. Ekipi ka qenë shumë i mirë edhe në sezonin e kaluar, megjithatë këto transfere kanë rritur konkurrencën, por edhe kualitetin në ekip. Synimi i FC Ballkanit tashmë dihet se është dalja kampion dhe jemi në rrugën e mirë për ta arritur këtë qëllim, por jemi edhe në garë për Kupën e Kosovës, andaj do të luftojmë në të dyja garat. Falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës për vlerësimin si më i miri i xhiros, si dhe bashkëlojtarët dhe stafin e trajnerëve, sepse pa ta kjo performancë nuk do të ishte e mundur”, ka thënë ai për faqen zyrtare të FFK-së.




