Hoxhaj: Ndërhyrje politike brutale në Hagë, me fonde të BE-së po luftohet historia e Kosovës
Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kërkesa e Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënim prej 180 vjetësh burgim për Hashim Thaçin dhe tre krerët e tjerë të UÇK-së është “ndërhyrje brutale politike”.
“Kërkesat e Prokurorisë Speciale për dënime ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përbëjnë drejtësi të paanshme, por një ndërhyrje politike brutale që synon rishkrimin e historisë së Kosovës përmes një operacioni special, e cila në thelb përfaqëson përndjekje selektive ndaj Kosovës. Në vend që të trajtohet pushteti gjenocidal serb, vëmendja zhvendoset te rezistenca, duke kriminalizuar luftën çlirimtare dhe duke relativizuar agresionin shtetëror serb”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Hoxhaj ka thënë se “Serbia ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq si reagim i domosdoshëm ndaj këtij realiteti, si formë e mbrojtjes dhe rezistencës ndaj okupimit”.
“Çdo përpjekje për ta nxjerrë këtë luftë jashtë këtij konteksti përbën shtrembërim të së vërtetës historike”, ka shkruar Hoxhaj.
Duke u marrë ekskluzivisht me rezistencën dhe jo me aparatin shtetëror serb që kreu gjenocid, kjo gjykatë , sipas Hoxhajt, “krijon një barazi të rreme mes pushtuesit dhe të pushtuarit – kjo nuk shëron plagë, por prodhon relativizim moral dhe padrejtësi të reja”.
“Kriminalizimi i UÇK-së është sulm ndaj historisë së popullit të Kosovës. Çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia nuk mund të rishkruhet sipas narrativës së agresorit apo burokratëve në Bruksel. Drejtësia e vërtetë fillon vetëm kur emërtohet saktë pushteti që prodhoi dhunën dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri. Pa këtë, çdo vendim mbetet një formë tjetër e padrejtësisë”, ka shkruar ai.
Hoxhaj ka thënë se “fatkeqësia është se sot, me fonde të Bashkimit Evropian, po luftohet historia e Kosovës dhe po rehabilitohet regjimi gjenocidal i Serbisë, i cili kurrë nuk u përball realisht me drejtësinë”.



