Gruda i PDK-së: E votoj këdo të familjes Jashari për president

10 shkurt 2026 | 08:28

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda, i pyetur për qëndrimin e kësaj partie në raport me çështjen e presidentit, ka thënë se ai personalisht e voton këdo të familjes Jashari në rast se kandidohet në këtë pozitë.

Gruda në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se një gjë e tillë nuk vlen edhe për Vjosa Osmanin e cila e ka bërë të ditur kandidaturën e saj për një mandat të dytë si presidente. Gruda ka theksuar se Osmani nuk do të ketë votë bllanko nga PDK-ja pa një diskutim paraprakisht.

“Unë e jap votën për këdo të familjes Jashari. Përballë asaj familje nuk bëjë politikë, unë e jap votën për familjen Jashari. Nuk mund ta them të njëjtën për Vjosa Osmanin. Ajo mund të bëhet sërish presidente por nuk do të ketë votë bllanko për të pa një diskutim me Partinë Demokratike të Kosovës, pa u bindur PDK-ja që ka një proces politik ku kërkesat e saj shtyhen, nuk e jep votën”, ka thënë Gruda.

Ndërkohë kanë mbetur më pak se një muaj deri në afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe afro dy muaj deri te përfundimi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani, por deri më tani nuk ka pasur bisedime konkrete ndërmjet subjekteve politike për këtë çështje.

Edhe pse dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit do të çonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka cilësuar veprimet në këtë drejtim si urgjente.

LVV-ja, e cila ka 57 deputetë në Kuvend, thekson se aktualisht ka tri prioritete të tjera: konstituimin e Kuvendit, votimin e Qeverisë dhe miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë planin e rritjes së BE-së dhe marrëveshjet me Bankën Botërore. Sipas këtij subjekti, çështja e presidentit do të trajtohet më pas, brenda afateve kushtetuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha…