Akuza e Speciales, ripërsëritje e shpifjeve serbe
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e quajtur atë “ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë”.
“Sot prokuroria speciale e Gjykatës së Kosovës në Hagë paraqiti akuzat më të rënda dhe kërkoi vite burg për më shumë dekada, rreth dy shekuj të marrë së bashku, për udhëheqësit më kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar kreu i PD-së.
Ai ka shtuar se, duke ndjekur procesin e gjykimit, ka konstatuar se para publikut nuk është paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument që të provojë krime konkrete të kryera nga të akuzuarit.
Berisha ka deklaruar gjithashtu se “akuza e paraqitur sot ndaj ish-udhëheqësve të UÇK, ish-aleat të Natos në luftën për çlirimin e Kosovës, është një ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë dhe trillimeve të famziut Vukçeviç, që formuloi i pari ndaj tyre akuzën monstruoze të ‘shkuljes së organeve’ nga serbët, robër lufte, dhe trafikimin e tyre, madje në territorin e Shqipërisë”.
“I bëj thirrje Gjykatës që në vendimet e saj të mos ndikohet në akuzat propagandistike që tejkalojnë çdo kufi dhe janë të pashembullta në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, dhe të konfirmojë në emër të ligjit pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës”, ka shkruar Sali Berisha.



