Pse duan të na i dënojnë luftëtarët e lirisë?

10 shkurt 2026 | 20:23

Prof. Dr. Kudusi Lama, Gjeneral

Lufta është vlerë kombëtare. Nëpërmjet luftës kemi arritur të mbijetojmë dhe të jemi të lirë e të pavarur. Prandaj te lufta është i lidhur fati ynë.

E pikërisht luftën po bëhen përpjekje të na e përbaltin e luftëtarët të na i nëpërkëmbin. Dhe kjo vetëm pse u guxua të luftohet për liri.

Luftë ku i gjithë populli shqiptar në Kosovë e në gjithë hapësirat kombëtare dhe në diasporë ishin rreshtuar pas Ushtrisë Çlirimtare për ta jetësuar lirinë.

Por lirinë tonë nuk e kanë dashtë të tjerët. Kryesisht ata që na vunë përpara kësaj prokurorie që megjithëse u thirr si e Kosovës, funksionoi e po funksionon deri në fund si prokurori e Beogradit. Dhe vulën e vuri në ditën e deklarimit të kërkesës për dënimin e udhëheqësve të luftës, ku fjala e vetme e kuptueshme ishte masa e ndëshkimit 45 vite burg për secilin.

Dhe jam i sigurt, se po të merret e të verifikohet ai vendim prokurorie që u lexua dje, do të duket qartë se është i shkruar në Beograd. I përkthyer keq dhe i lexuar akoma më keq nga prokuroria në seancën gjyqësore.

Prandaj për të mos u lënë shteg të thirren në emër të popullit të Kosovës, unë do të apeloja që më 17 shkurt të dalim të gjithë shqiptarët në sheshe për ta deklaruar veten, se nuk ka askush të drejtë që në emër tonë të na dënojë vlerat kombëtare.

Sepse Serbia të cilën e kemi mundur para 27 vjetësh, me hile europiane, po bën agresion të rëndë kundër Kosovës. Më vjen keq për ata që mendojnë se ky agresion serb është kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Sepse ky agresion i Serbisë që paraqitet nëpër portretet e atyre katër burrave është agresioni më i madh kundër Kosovës, kundër popullit shqiptar, kundër shtetarëve të Kosovë, kundër intelektualëve, kundër rinisë dhe fëmijëve të Kosovës. Prandaj e kemi për detyrë të mos i përjashtojmë ata katër burra, por të bëhemi palë me ta. Sepse në të kundërt shumë shpejt do të paraqitet një raport i Dick Martyt numër dy e pastaj numër tre e me radhë. Mos mendoni se duke e lenë Serbinë të fitojë një agresion si ky i fundit ajo do të ndalet. Jo ajo do të vazhdojë e do të vazhdojë. Prandaj e kemi për detyrë t’i tregojmë se e kemi mundur dhe e mundim përsëri.

Dhe ta dimë mirë të gjithë shqiptarisht, se fitorja jonë është e sigurt vetëm bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e kjo ushtri nuk mund të jetë funksionale nëse na nëpërkëmben ata burrat që na i kanë marrë peng në Hagë e ne japim leje që ata të shkatërrohen në emër tonë. Ky do të ishte turpi ynë i këtij shekulli.

Ta heqim nga mendja përfundimisht: në Hagë nuk po del në shesh e drejta, por po shtrohet rruga e shkatërrimit të vlerave kombëtare shqiptare, po shtrohet rruga e tjetërsimit të historisë së Kosovës, po shtrohet rruga e mohimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës si luftë e drejtë dhe e pastër, po shtrohet rruga drejt kërkimit të faljes ndaj Serbisë e Milosheviçit se u kemi nxjerrë probleme në periudhën 1994 deri 1999.

Çdo shqiptar e ka për detyrë të pyes veten: A e meritojmë këtë?

Dhe nëse vetvetja i jep përgjigje se nuk e meritojmë këtë përbaltje historie, secili të ngrihet në këmbë për t’i thënë jo këtij monstrumi që paraqitet me portretin e prokurorisë speciale e quajtur e Kosovës, në Hagë.

Duhet të gjejmë forcën dhe rrugën për ta detyruar Bashkimin Europian të ndalet dhe të shikojë ku është drejtësia në këtë proces, pasi ne shqiptarët nuk po e shohim.

Pasi po pretendohet të bëhet drejtësi me paramendim dhe paravendim. E në fakt drejtësia bëhet me analizë faktesh që në rastin tonë nuk ekzistojnë.

Dhe e gjithë kjo po ndodhë se shqiptarët në mirëbesim ia lanë në dorë Europës këtë çështje.

Prandaj ne shqiptarët duhet të mos lëmë më tej të na dëmtojnë, se mjaft është bërë dëm deri sot mbi Kosovën e mbi shqiptarët.

Është krejt e pazakontë dhe e pakuptueshme, të dënohen luftëtarët pse kanë luftuar për ta çliruar atdheun e tyre të pushtuar.

Është krejt e pazakontë të paraqitesh si mbrojtësi i parë i të drejtës, dhe krejt papritur të gjendesh si bashkëpunëtor i prokurorisë serbe, duke mashtruar, përpunuar e krijuar shpifje kundër burrave shqiptarë të Luftës Çlirimtare të Kosovës, që janë marrë peng në Hagë, ky është turpi më i madh që mund të bëjë një trupë ligjore siç është prokuroria e quajtur e Kosovës,në Hagë.

Dhe, turpi bëhet aq më i madh, për aq sa është i dukshëm në sytë e qytetarëve të botës. E, kjo prokurori, po duket para gjithë botës si një shërbyese e Serbisë që e turpëroi veten, duke u vënë në shërbim të një institucioni kriminal, siç është prokuroria e Serbisë, e cila burrat që kjo prokurori i ka marrë peng, i ka dënuar me dënim maksimal në vendin e tij dhe me ligjet e veta.

E vepra e kësaj prokurorie të quajtur e Kosovës, në Hagë, po vazhdon të kullojë gjak.

Gjak, se po konsiderohet se po bëhet drejtësi për shqiptarët në bashkëpunim me masakruesin e shqiptarëve, Serbinë, për t’i gjykuar ata, se nuk ka mundur t’i zhdukë masakruesi që i ka dënuar me burgime maksimale.

Konsideroj se atyre burrave të UÇK-së në Hagë, por as edhe ne shqiptarëve të tjerë, as në mendje nuk na ka shkuar të bëjmë ato për të cilat ata burra po akuzohen e kërkohet të dënohen.

Ata kanë të vetmen vepër të tyre, se gjithë jetën e tyre, qëkur janë bërë i përgjegjshëm, janë përpjekur t’i shërbej me besnikëri dhe qytetari vendit dhe popullit të tyre. Kurrë nuk kanëurryer njeri, as kanë menduar a vepruar që midis njerëzve të ketë konflikte. Por në jetën e tyre dhe me veprimtarinë e tyre kanëpunuar, vepruar dhe luftuar që shqiptarët të jenë të lirë dhe me unitet monolit midis tyre.

Ata kurrë në jetën e tyre nuk kanë fyer, shpifur, kërcënuar, nxitur urrejtje, apo krijuar konflikte midis njerëzve, përveç kur kanë qenë të detyruar që me armë në dorë, si ushtarë të atdheut të tyre, të luftojnë për ta çliruar atë prej okupatorit shekullor, detyrë të cilën mendoj se e kanë kryer në mënyrë të përsosur, dhe e di se bashkë me mua janë të gatshëm ta bëjnë sa herë qëatdheu ynë dhe kombi shqiptar të jetë i rrezikuar dhe i kërcënuar.

Prej këtej duket arsyeja pse duan të na i dënojnë luftëtarët e lirisë. Pasi akoma shpresohet kthimi i Serbisë në Kosovë. Sepse konsiderojnë të tepërt flamurin e Kosovës, kushtetutën e Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Sepse duan të arsyetojnë se çlirimi i Kosovës është mbështetur në krime, jo në luftë çlirimtare siç është e vërteta.

Duan të na i dënojnë luftëtarët e lirisë, sepse prej këtej u lind e drejta të venë nën pranga çdo luftëtarë që ka qenë i rreshtuar në radhët e UÇK-së. Dhe ta dinë të gjithë: këtij qëllimi i shërben edhe fakti që shumëkush, përfshi edhe shqiptarë, po deklarohen në atë se UÇK-ja nuk ka pasur shumë luftëtarë.

Duan të na i dënojnë luftëtarët e lirisë, sepse duan të bindin shqiptarët, por edhe popujt e tjerë që aspirojnë për liri, se liria mund të përfitohet vetëm si dhuratë e të fuqishmëve, por jo me luftë të armatosur të vetë popullit të robëruar.

Duan të na i dënojnë luftëtarët e lirisë për ta bindur opinionin ndërkombëtarë, se çdo provë që paraqet Serbia për interesat e saj është e saktë dhe e pa diskutueshme, pasi gjithçka e kanë nga porta e Beogradit.  

Kështu, sot po tentohet të bëhet një padrejtësi në emër tëdrejtësisë. Por kjo nuk është thjeshtë një padrejtësi që cenon jetën e katër burrave të luftës çlirimtare atje në Hagë. Është një padrejtësi që cenon dhe rrezikon interesin kombëtar shqiptar dhe interesin shtetëror të Kosovës.

Shpresoj ta kuptojnë shqiptarët sa larg po donë të shkojë kjo prokurori e quajtur e Kosovës në Hagë. Sepse atje prokuroria po vepron plotësisht si një institucion nazist, që nuk respekton asnjë të drejtë. Ajo vetëm po donë të kryej detyrën që e ka marrë nga padronët e saj. Një institucion drejtësie që punon nën padronë nuk mundet me gjet të drejtën, ai vetëm lexon çka i thonë. Dhe kjo po ndodhë në Hagë me atë prokurori të quajtur e Kosovës.

Me këtë rast u bëj apel edhe fuqive europiane, SHBA-ve, BE-së, OSBE-së, si dhe OKB-së, të hetojnë dhe monitorojnëkëtë Prokurori, për të larguar turpin prej vetes. Sepse nëse do ta lënë të vijojë me këtë metodologji e mendësi, do të bëjë që në këtë botë të mos ekzistojë me drejtësia e të mos gjendet kurrë e drejta. Apeloj se, nëse vërtetë dëshironi të bëni drejtësi nëKosovë,  vlerësoni të veprohet edhe për ne, sikur veproni dhe punoni në shtetet tuaja të zhvilluara, ku e di se nuk montoni procese gjyqësore në baza të thashethemeve apo deklaratave tënjëanshme dhe politike pa bazë për të ngritur një akuzë.

Sot ajo prokurori po kërkon të dënohen luftëtarët e lirisë, pse e duan qytetarinë, pse e duan zhvillimin, pse e duankulturën, pse e duan drejtësinë, pse nuk pajtohen me padrejtësinë, me pushtimin dhe me shkatërrimin kombëtar.

Ajo prokurori, nëse shkon me mendimin se duke kërkuar të dënohen luftëtarët e lirisë, mund të detyrojë shqiptarët të mos e dua atdheun e vet dhe kombin të cilit i përkasin, gabojnë rëndë. Nëse shkon me mendimin se mund t’i frikësojë shqiptarët, nëpërmjet kësaj kërkese për dënimin e luftëtarëve të lirisë, përsëri gabojnë shumë rëndë. Askush nga shqiptarët nuk mund e nuk do të frikësohet. Nuk mundi të na frikësojë Serbia, me tëcilën luftuam 100 vjet deri kur e hodhëm jashtë prej tokës sonë, jo të na frikësojnë zyrat pa ngjyrë e identitet të prokurorisë të quajtur e Kosovës, në Hagë.

Gabohet nëse mendohet se me gjyqe të montuara mund të fitohet a të merret autoritet në Kosovë. Të jenë të qartë të gjithë ata që janë organizatorë të kësaj prokurorie, se kjo tokë nuk duron padronë. Kjo tokë është e shqiptarëve dhe e tillë do të jetësa t’i bjerë dielli tokës.

Prandaj ju bëj me dije se luftëtarët e lirisë janë të dëshiruar t’i shërbejnë atdheut të tyre, jo të mbyllen në burg. Për këtë edhe pyes: cili do të jetë morali i atyre prokurorëve që dëshirojnë t’i dënojnë pa asnjë arsye? A vërtetë mendojnë se do të kenë mëautoritet të dalin në sallën e gjyqit për të dhënë drejtësi? Sepse kjo që po ndodhë në këtë gjyq është e pabesueshme, e turpshme por ja që vërtetë në kurriz të drejtësisë dhe përgjegjësit e gjithë kësaj kanë emër dhe mbiemër.

E për fund, do të desha t’i pyes ata prokurorë të prokurorisë së quajtur e Kosovës, në Hagë: A keni ndonjë uniformë tjetër poshtë asaj uniforme që keni publike? Unë deklaroj se dyshoj. Me veprimet qe po i bëni, ju duket se jeni me shërbim tëdyfishtë. Nuk dyshoj që një veprimtari e juaja si e tillë i shërben Serbisë. Dhe me këtë portret që keni prezantuar, jam i bindur, se kështu mendojnë të gjithë shqiptarët.

Unë kështu di të arsyetoj. Unë nuk mund të bëhem i verbër,vetëm që ju zotërinj të veshur me uniformë publike prokurori mbi uniformën e vërtetë të cilës i shërbeni, të vazhdoni tëabuzoni me luftëtarët e lirisë, duke kërkuar drejtësi në emër të padrejtësisë. Unë nuk mund të kërkoj mëshirë, për luftëtarët që ju dëshironi t’i dënoni, për vepra të pa kryera. Unë dhe ata burrat e luftës atje në Hagë, kurrë nuk kemi bërë e nuk do të bëjmëvepra që në të drejtën ligjore e hyjnore të na dënojnë ligjet. Por arbitrariteti juaj edhe na dënon.

Por luftëtarët e lirisë në Hagë dhe unë jemi krenar për kombit të cilit i përkasim. Nuk duam dhe nuk do të duam kurrëtë jemi ndryshe. Nëse mendohet se mund të përpunohemi e se mund të tjetërsohemi, ju siguroj se do të mbetemi përjetësisht i tillë, të ndershëm dhe i pathyeshëm.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën, më 11 shkurt 2026, do t’i jepet lamtumira…