Trafiku Urban arrin marrëveshje me sindikatën, vazhdon rregullisht transporti publik në Prishtinë
Menaxhmenti i N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A., në bashkëpunim me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatës, ka arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës dhe ofrimin pa ndërprerje të shërbimit të transportit publik në Komunën e Prishtinës.
Marrëveshja është arritur pas konsultimeve dhe dialogut ndërmjet palëve, duke garantuar stabilitet në funksionimin e ndërmarrjes dhe shërbim të pandërprerë për qytetarët.
Sa i përket kërkesave të punëtorëve për përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e pagave, menaxhmenti ka shprehur përkushtimin që, në përputhje me mundësitë financiare, të ndërmarrë hapa konkretë për avancimin e kushteve të punës dhe mirëqenies së punonjësve. Palët janë dakorduar që diskutimet e detajuara lidhur me realizimin e kërkesave të zhvillohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. \Bleona Potoku\
Njoftimi i plotë: https://www.facebook.com/share/p/1HVcu9tKP6/
NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Të nderuar,
Ju njoftojmë se menaxhmenti i N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A., në bashkëpunim me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatës, pas konsultimeve dhe dialogut të vazhdueshëm, ka arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës dhe ofrimin e shërbimit të transportit publik në Komunën e Prishtinës.
Sa i përket kërkesave të punëtorëve për përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e pagave, ndërmarrja mbetet e përkushtuar që, në vazhdimësi dhe në përputhje me mundësitë financiare, të ndërmarrë hapa konkret për përmirësimin e kushteve të punës dhe mirëqenies së punonjësve.
Lidhur me kërkesat konkrete të paraqitura, përfaqësuesit e sindikatës dhe menaxhmenti janë dakorduar që diskutimet e detajuara për mundësitë e realizimit të tyre të zhvillohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.
Menaxhmenti i N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A. mbetet i hapur për dialog social të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të ndërsjellë me përfaqësuesit sindikalë, me qëllim adresimin e drejtë dhe transparent për të gjitha çështjet që lidhen me të drejtat dhe mirëqenien e punëtorëve, si dhe me stabilitetin afatgjatë të ndërmarrjes.
Ne vlerësojmë lart angazhimin dhe kontributin e secilit punonjës në ofrimin e shërbimit publik për qytetarët e Prishtinës dhe e konsiderojmë dialogun sindikal si mjet thelbësor për ruajtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme të punës.
Duke marrë parasysh rrethanat aktuale financiare dhe operacionale, konfirmojmë se:
• Kërkesat e paraqitura do të mbeten në shqyrtim aktiv;
• Në momentin kur ndërmarrja të përmirësojë gjendjen financiare dhe të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm, këto kërkesa do të trajtohen me prioritet, në bashkëpunim të ngushtë me sindikatën dhe organet kompetente.
Falënderojmë të gjithë punonjësit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, si dhe qytetarët për mirëkuptimin dhe besimin e vazhdueshëm.



