Ish-luftëtari Shpend Gjocaj i shkruan djalit të Presidentit Trump: Krerët e UÇK-së kanë nevojë për vëmendjen amerikane
Ish-luftëtari i UÇK-së, Shpend Gjocaj nga Juniku, i cili jeton dhe vepron në New York, i ka dërguar një letër Eric Trumpit, djalit të Presidentit amerikan Donald Trump. Në letrën e tij, Gjocaj i kërkon që, brenda mundësive, ta informojë presidentin për situatën e krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Gjocaj ka bërë të ditur se, për shkak të punës së tij pranë zonës ku jeton familja Trump, ka pasur rastin t’i takojë dhe t’i shohë shpesh nga afër anëtarët e familjes së presidentit.
Në letrën drejtuar Eric Trumpit, ai shpreh shqetësimin e tij lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët prej më shumë se pesë vitesh ndodhen në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë.
Më poshtë, letra e plotë e Shpend Gjocajt e përkthyer nga anglishtja në gjuhën shqipe;
Përshëndetje i nderuar Eric Trump,
Jam Shpend Gjocaj.
Z. Eric, më fal për shqetësimin, por besoj se më kupton. Jam thellësisht i tronditur nga ajo që po ndodh në Gjykatën Speciale në Hagë kundër popullit tim. Atje, prej më shumë se pesë vitesh, në paraburgim mbahen krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Tani procesi ka hyrë në fazën përfundimtare, ku po jepen fjalët përmbyllëse të prokurorëve dhe avokatëve.
Sipas bindjes sime, Prokuroria po i paraqet serbët si viktima, ndërsa UÇK-në si organizatë kriminale. Po tentohet të barazohet lufta çlirimtare e Kosovës me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë – krime të rënda dhe të dokumentuara. Amerika e ka njohur UÇK-në si ushtri çlirimtare dhe ka bashkëpunuar me të. Më vonë, UÇK-ja ishte aleate e NATO-s.
Sot, po tentohet kriminalizimi i saj përmes akuzave për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, duke synuar dënimin jo vetëm të individëve, por të vetë luftës çlirimtare. Një gjë e tillë, sipas meje, rrezikon të dëmtojë themelin e shtetit të Kosovës dhe të cenojë sakrificën e popullit tonë.
Kërkesa ime është e thjeshtë: Ju lutem, bisedoni me Presidentin Trump dhe kërkoni që ai ta ndjekë me vëmendje këtë proces, i cili është drejt përfundimit, dhe të ndihmojë në parandalimin e një padrejtësie të madhe që, sipas nesh, po bëhet ndaj Kosovës.
Ne shqiptarët gjithmonë e kemi parë dhe i shohim Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mbështetësen dhe shpresën tonë kryesore.
Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë familjen Trump.



