Të paçim gjatë mes nesh, Hero!
Smajl Latifi
Po, është e vërtetë që rezultati i tij më i mirë nuk ka qenë më shumë se 11,50%.
Po, është e vërtetë që rezultati i dy palë zgjedhjeve të fundit nuk është i kënaqshëm.
Po, është e vërtetë që jemi të gjithë përgjegjës për këto rezultate.
Por, po ashtu, është e vërtetë që ai është i rrallë.
Hero i luftës dhe i paqes. Ai që guxoi kur të tjerët hezitonin dhe që, brenda një kohe të shkurtër, bëri shumë për Kosovën. Edhe pse nuk kishte fuqi të madhe elektorale, si personalitet i veçantë i këtij kombi, la gjurmë të mëdha në momente vendimtare. Në mandatin e parë si kryeministër, për 100 ditë, ndërmori hapa që përgatitën dhe plotësuan kushtet që Kosova të bëhej shtet. Në mandatin e dytë, fitoi disa beteja kyçe që konsoliduan pavarësinë, ruajtën integritetin territorial dhe forcuan sovranitetin shtetëror.
Sot, me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga drejtimi i Aleancës, mbyllet një kapitull i rëndësishëm politik. Megjithatë, rrugëtimi i tij në shërbim të Aleancës, të atdheut dhe të interesit kombëtar, vazhdon. Përtej postit të kryetarit të partisë, ai mbetet në kujtesën tonë si njeri i betejave dhe i përgjegjësive të mëdha.
E njohim Ramushin e UÇK-së, komandantin që nuk u zmbraps. Por, po aq i rëndësishëm ishte edhe Ramushi i vitit 2004, kur në kohë të mjegullta diti të bashkojë popullin.
Kur dha dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë në Hagë, u tregua burrështetas. Nuk u fsheh. Shkoi me kokën lart dhe u kthye po ashtu.
Kur u kthye, vazhdoi kontributin atdhetar e për interesin shtetëror. Kosovën e bëri me ushtri, Trepçën e bëri Kosovë, Serbisë i vuri taksën 100% e shtetit tonë ia dha pavarësimin energjetik.
I sulmuar dhe i penguar vazhdimisht. U përpoqën ta ndalnin, ta largonin e ta rrëzonin. I shënjestruar natë e ditë, nga brenda dhe jashtë, jo për dobësi, por për vlerat që përfaqësonte, për qëndrueshmërinë në etapa të ndryshme, pa devijuar asnjëherë, për angazhimin e pandalur dhe për të kaluarën e tij të lavdishme e mbi të gjitha, për qëndrimin e tij të palëkundur. Kjo barrë u bie atyre që bartin histori mbi supe.
Ka marrë vendime të rënda, me vetëdije të plotë që mund të na kushtojë në vota, por nuk e ka preokupuar kjo çështje, sepse, siç e thoshte shpesh, luftën e bëjmë për shtet, jo për pushtet, sepse po s’patëm shtet, s’kemi as pushtet.
Andaj, po, ndoshta Aleanca nuk ka dalë fituese, por Kosova ka fituar gjithmonë nga Aleanca. Ndoshta rezultati nuk ka qenë i madh, por Aleanca ka qëndruar, pavarësisht goditjeve të egra edhe në kohët më të vështira, kur udhëheqësi i saj ishte në Hagë.
Historia më e re e këtij vendi do të flasë për të gjithë, pa dallim, e Gjeneral Ramush Haradinaj do të jetë në çdo kapitull të saj, sepse veprat e tij janë të përjetshme!
Kryetar Ramush, faleminderit për gjithçka!
Kryetar Ramush, faleminderit që mbetesh në detyrë dhe në shërbim edhe kur nuk je zgjedhja e parë, duke punuar e sakrifikuar pa kushte për popullin tonë!
Të paçim gjatë mes nesh, Hero!



