Adem Demaçi – Krenaria që mungoi në krye të shtetit
“Gabimet nuk falen, por Baca Adem thoshte gjithmonë: “Melaqet na ndihmojnë.” Gabimi më i madh kombëtar i elitës vendimmarrëse politike të Kosovës ka qenë fakti që Bacën Adem Demaçi nuk e bënë as President e as Kryeparlamentar. Një veprim i tillë do ta bënte vetë Kosovën më krenare dhe do t’i jepte kredibilitet të fuqishëm ndërkombëtar. Demaçi ishte ndërgjegjja politike e kombit – simbol i sakrificës, rezistencës dhe dinjitetit njerëzor.
Personalisht, në rrugën time më kanë udhëhequr dhe më udhëheqin dy burra të kombit – dy Adema: njëri i vijës politike, tjetri i asaj të luftës. Krahas Demaçit që përfaqësonte qëndresën politike, Adem Jashari mishëronte sakrificën sublime për liri. Këta dy emra janë boshti moral dhe historik i shtetndërtimit tonë.
Në kontekstin e proceseve nëpër të cilat po kalojmë, dua të shpreh një mendim lidhur me prezantimin tonë ndërkombëtar përmes ambasadave të Republikës së Kosovës.
Ambasadave tona duhet t’u jepet udhëzim që në hapësirat zyrtare të vendoset fotografia e Adem Jasharit, pranë Flamurit Kombëtar, krahas atij të shtetit të Kosovës. Po ashtu, ato duhet të organizojnë zyrtarisht pritje për Festën e 28 Nëntorit – që shënon Ditën e Flamurit Kombëtar, Pavarësinë e Shtetit Shqiptar dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – krahas Festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Historia nuk ndryshohet.
Ne duhet të jemi krenarë për atë se kush jemi, nga vijmë dhe drejt kujt synojmë. Identiteti ynë kombëtar dhe shtetëror nuk janë në kundërshtim me aspiratat tona euroatlantike – përkundrazi, ato janë themeli ynë.
Rruga jonë është e qartë: drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Kështu ka shkruar ushtaraku dhe ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Qeverinë Kurti II, Armend Mehajh një thirrje për reflektim, dinjitet dhe përfaqësim më të fuqishëm të historisë sonë në arenën ndërkombëtare.




