Musliu-Shoshi: Largimi i gazetares shtatzënë nga RTK alarm për lirinë e medias

15 shkurt 2026 | 22:05

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Media, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar ashpër ndaj largimit nga puna të gazetares Edina Avdiu nga Radio Televizioni i Kosovës, duke e cilësuar rastin si “alarm serioz për të drejtat e punëtorëve dhe lirinë e shprehjes”.

Në një reagim publik, Musliu-Shoshi ka shprehur shqetësimin e saj për faktin se vendimi për largimin nga puna është marrë në muajin e pestë të shtatzënisë së gazetares, duke kërkuar transparencë dhe sqarime të menjëhershme nga menaxhmenti i RTK-së.

“Si Kryetare e Komisionit Parlamentar për Media, shpreh shqetësimin tim të thellë për largimin nga puna të gazetares Edina Avdiu nga Radio Televizioni i Kosovës, në muajin e pestë të shtatzënisë. Prandaj, kërkoj transparencë të plotë, si dhe sqarime të menjëhershme nga menaxhmenti i RTK-së për rrethanat e këtij vendimi”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.

Ajo ka theksuar se ky rast ngre pikëpyetje serioze për respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe standardeve demokratike në transmetuesin publik.

“Nëse ajo është penalizuar sepse refuzoi ndërhyrje politike dhe mbrojti integritetin profesional, atëherë kemi të bëjmë me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë editoriale të transmetuesit publik dhe ndaj vetë standardeve demokratike të vendit”, ka shtuar deputetja e PDK-së.

Musliu-Shoshi ka nënvizuar se asnjë gazetar nuk duhet të ndëshkohet për pyetjet që bën apo për presionet që refuzon, duke rikujtuar se transmetuesi publik duhet t’i shërbejë qytetarëve dhe interesit publik, e jo pushtetit apo partive politike.

Në fund, ajo ka bërë thirrje për mbrojtjen e gazetarëve me integritet dhe për ruajtjen e lirisë së medias si themel i demokracisë.

“Gazetarët me integritet mbrohen, nuk ndëshkohen. Liria e medias nuk është privilegj, por themel i demokracisë që duhet ta mbrojmë pa kompromis”, ka përfunduar ajo.

Link: https://www.facebook.com/share/p/1GKxNMpegz/?mibextid=wwXIfr

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari i çështjes kombëtare, Shqiptar Gubetini, i cili jeton në…