Hektor Beqiri: Kam shpresë se kjo ishte hera e fundit që i shoh nga larg, herën tjetër do t’i përqafoj të lirë
Veprimtari shqiptar që jeton në Gjermani, Hektor Beqiri, i cili për më shumë se 100 herë ka vizituar krerët e UÇK-së në Hagë – si në paraburgim ashtu edhe në seanca gjyqësore – ka deklaruar se sot është mbyllur një kapitull i gjatë në procesin gjyqësor në Hagë.
Nga galeria e gjykatës, Beqiri ka përcjellë fjalët përfundimtare të prokurorëve, avokatëve mbrojtës dhe më pas edhe ekspozenë e të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Sot u mbyll një kapitull i gjatë, i rëndë, por krenar në Hagë. Një kapitull që për më shumë se pesë vite vuri në provë durimin, besimin dhe zemrën e çdo shqiptari.
Edhe sot, si ditën e parë, shkova për t’i parë dhe për t’i përshëndetur shokët e mi. Shkova me shpresën se kjo ishte hera e fundit që i shoh nga larg. Me shpresën se herën tjetër do t’i përqafoj të lirë.
Ata nuk kërkuan mëshirë.
Nuk kërkuan privilegj.
Kërkuan vetëm drejtësi.
Dhe unë jam shumë i bindur se trupi gjykues do të marrë një vendim të drejtë dhe të paanshëm. Një vendim që do të jetë fitore jo për katër burra si individë, por për Kosovën. Për atdheun tonë. Për historinë.
Sepse edhe sot, përballë botës, ata e mbrojtën Kosovën me dinjitet e krenari. Si atëherë. Si gjithmonë.
Le të presim me besim.
Le të qëndrojmë të bashkuar.
Sepse liria ka pasur çmim.
Dhe e vërteta nuk mund të tjetërsohet!”, ka shkruar Beqiri pas përfundimit të seancës.





